Please enter at least 3 characters.

FC Rinia, klubi që bashkon komunitetet pakicë përmes futsallit

Nga Fushë Kosova në Ligën e Parë të futsallit, FC Rinia është një klub i veçantë, i ndërtuar nga të rinj të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët përmes sportit po kërkojnë të krijojnë mundësi dhe të thyejnë barriera.

FC Rinia nga Fushë Kosova do ta zhvillojë sezonin 2026/27 në Ligën e Parë të futsallit në Kosovë, që është edicioni i dytë i tyre në garat e organizuara.

Ideja për krijimin e klubit nisi nga dëshira e të rinjve të komuniteteve Ashkali, Romë dhe Egjiptian për të luajtur futboll e futsall në turne të ndryshëm. Ajo që filloi si një pasion dhe organizim mes të rinjve, me kalimin e kohës u shndërrua në një klub që tashmë garon në nivelet zyrtare.

Por rrugëtimi i tyre nuk është aspak i lehtë. Shumica e futbollistëve kanë punë të tjera si prioritet, pasi duhet të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Për këtë arsye, stërvitjet e rregullta shpesh bëhen të pamundura dhe skuadra përballet me vështirësi të shumta për të qenë konkurruese.

Përveç sfidave financiare dhe organizative, në disa raste lojtarët janë përballur edhe me thirrje raciste gjatë ndeshjeve. Megjithatë, në klub theksojnë se këto janë raste të izoluara dhe se në shumicën e përballjeve me klubet shqiptare janë mirëpritur dhe respektuar.

Mbështetja institucionale për klubin është e kufizuar. Komuna e Fushë Kosovës u mundëson palestrën për stërvitje, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës ua mbulon disa nga shpenzimet e garave.

Pjesën tjetër, përfshirë pagesat për ndeshjet dhe udhëtimet, lojtarët e FC Rinisë shpesh e mbulojnë nga xhepi i tyre. Ata thonë se këtë e bëjnë vetëm falë dashurisë së madhe për futsallin dhe dëshirës për të vazhduar të garojnë.

Në një storje për Telegrafin, përfaqësuesi dhe lojtari i klubit, Kajdar Haziri, si dhe menaxheri dhe lojtari Veton Mustafa, kanë folur për sfidat, rrugëtimin, vështirësitë dhe ambiciet e FC Rinisë.

Për ta, ky klub është shumë më tepër se një ekip futsalli. Është një hapësirë ku të rinjtë takohen, garojnë dhe përfaqësojnë komunitetet e tyre përmes sportit.

FC Rinia së fundmi ka nisur punën edhe me grupmosha të reja në futboll, me synimin për t’u dhënë mundësi fëmijëve të komuniteteve të zhvillojnë talentin dhe të merren me sport. Megjithatë, kjo nismë është ndërprerë përkohësisht për shkak të mungesës së një fushe të përshtatshme për stërvitje.

Klubi shpreson që së shpejti të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që fëmijët të rikthehen në stërvitje dhe kjo punë e nisur të mos mbetet në gjysmë.

Tani, FC Rinia ka një kërkesë të qartë: më shumë mbështetje nga institucionet dhe bizneset, në mënyrë që pasioni i këtyre të rinjve të mos mbetet peng i mungesës së mjeteve financiare.

Sepse ndonjëherë, për të mbajtur gjallë një ëndërr sportive, nuk mjafton vetëm talenti. Duhet edhe dikush që beson në të. /Telegrafi/

true