Dorëzohet Serbia: Kosova do të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar
Pas publikimit të lajmit se pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është i pashmangshëm, Komiteti Olimpik në Beograd ka lëshuar një komunikatë zyrtare, ku pothuajse e pranon se Kosova do të marrë pranimin, raporton KTV-ja.
“Të gjitha organet e Serbisë gjatë shumë viteve janë informuar me përpjekjet e të vetë-shpallurës Republikë e Kosovës që nëpërmjet kanaleve të ndryshme të vijë deri tek anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kjo ka zgjatur së paku 4 vite dhe Komiteti Olimpik i Serbisë me sukses e ka ndaluar këtë. Kemi informacion se anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar këtë herë janë të gatshëm të përkrahin këtë iniciativë, edhe pse në shumë raste bashkë me institucionet shtetërore kemi insistuar se një gjë e tillë është e papranueshme. Një pranim i tillë do të paraqiste rast të rrallë në historinë e fundit, duke marrë parasysh se asnjë komitet olimpik kombëtar nuk është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar pa qenë pjesë e OKB-së ai shtet”, thuhet në komunikatën për media të Komitetit Olimpik Serb. /Koha/Telegrafi/


