Please enter at least 3 characters.

Diplomacia e Prishtinës – 2009, vit i dështuar

Në atmosferën e përgjithshme të fundvitit, çdo institucion, organizatë, shoqatë, familje madje edhe individ, ulet për të bërë llogaritjet e vitit që shkoi, dhe pasi të kenë vlerësuar gjithçka dhe çdo gjë, sjellin edhe përfundimin për sukseset dhe dështimet e 12 muajve të shkuar.

Në këtë mes, diplomacia kosovare është organi shtetëror më i pa suksesshëm. Ministria e Jashtme e Kosovës, u paralizua tërësisht me punën e vet duke u koncentruar në vetëkënaqësinë që guxoj t’ia dhuroj vetes me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjë që nuk u bë për shkak të suksesit të kësaj ministrie, apo edhe institucioneve të Republikës së Kosovës, por që u arrit me angazhimin prej buldozeri të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjera mike.

Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, i cili duhet përsëritur prapë, nënkupton matematikë të thjeshtë, pra çështje të rritjes së numrit të vendeve që e njohin Kosovën, gati sa u paralizua, dhe vendet që gjatë vitit 2009 që e kanë njohur shtetin më të ri në botë mund të numërohen në gishtat e një dore.

Duhet thënë se edhe ato vende që e njohën Kosovën, nuk e bënë këtë gjë nga puna e mirë e ministrisë, por nga nxitja e faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar diplomatik, Behgjet Pacollit, apo edhe diasporës shqiptare jashtë vendit që nuk la gur pa lëkundur derisa për shembull cyti Zelandën e Re që ta njohë Kosovën, apo edhe takimet e pafundme që po këta njerëz i bënë në qeverinë e Skocisë dhe Britanisë së Madhe, për t’i kërkuar Republikës së Malavit (vend që Skocia e sponsorizon për të dalë nga dëshpërimi ekonomik) njohjen e Kosovës.

Në këtë ministri, qysh në start të punës së tyre e kanë pranuar ngathtësinë, dhe dështimin si formë e punës së tyre, kur ministri Skënder Hyseni i ka dhënë vetes liri pesë vjeçare derisa Kosova të pranohet në OKB.

Çdo shtet i ri duhet të shikojë të ardhmen me përparësi dhe pa pengesa, e pesë vjetori i paracaktuar nga zotëri Hyseni është gabim trashanik sepse në procesin e integrimeve që po kalon Ballkani, ku Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia hoqën vizat për në BE, dhe Shqipëria e Bosnja e Hercegovina janë në fazën përfundimtare, Kosova po mbetet jo vetëm delja e zezë, por edhe gropa e dështuar e politikave të dështuara.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, po ashtu nuk arriti që të bëjë as edhe një hap të vetëm në propagandimin ndërkombëtar të Kosovës, kurse përfaqësimi i delegacionit të Kosovës në gjykatën e Hagës, u cilësua nga shumë njohës të së drejtës ndërkombëtare si “një paraqitje e qullur e disa kryetitujve të gazetave, pa lidhje të mirëfilltë organike, dhe strukturë legale”.

Një konstatim i tillë u bë nga pjesëtarët e ekipit ligjor të “Amnesty International” gjatë një seminari shkencorë në Universitetin e Oksfordit, me datë 20.12 2009, ku mori pjesë edhe autori.

Sipas po të njëjtit konstatim, fatmirësisht ishte paraqitja e fortë e shteteve në favor të Kosovës që solli argumente të mirëfillta dhe të strukturuara mirë, si psh, Shqipëria me paraqitjen e vet mbështetur në të drejtën humanitare, Austria me paraqitjen e vet bazuar në të drejtën e popujve për liri. Kroacia, me paraqitjen e vet me argumentet nga shkatërrimi i ish RSFJ-së, SHBA-të me paraqitjen e strukturës së forcës si mjet për ardhjen deri te qëllimi, që ndikuan që paraqitja në emër të Kosovës të shihet katërçipërisht si e fortë dhe e mbështetur në konkluza pozitive.

Në këtë mes, nuk duhet lënë pa e fajësuar edhe diplomacinë e Shqipërisë e cila, çështjen e Kosovës disi e ka vënë prapa shpine, ndërsa koncentrohet në ndreqjen e marrëdhënieve me Serbinë, gjë që treguan takimet e disahershme të ministrit të Jashtëm shqiptar me Vuk Jeremiqin si dhe gatishmëria e tij për të vizituar Beogradin.
Ndryshe nga Shqipëria e Enver Hoxhës që me 1960 sponsorizoi hyrjen e Republikës Popullore të Kinës në OKB, kësaj radhe edhe pse pjesë të një kombi Shqipëria, po bën luftë shumë të dobët diplomatike për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës.

Kështu pra, ne qoftë se Ministria e Jashtme e Kosovës, do të bëjë bilancin e mirëfilltë të punës njëvjeçare, atëherë ky institucion duhet t’i pranojë gabimet e veta, dhe të punojë shumë më shumë që t’i përmirësojë ato, sepse pikërisht nga puna e tyre varet edhe suksesi ndërkombëtar i Kosovës.

(Autori është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Glasgow, Britani e Madhe)