Please enter at least 3 characters.

Dhelprës i “hapen dyert...!”

Derisa matanë lumit Ibër, gjendja është skëterrë, hedhin vallen hordhitë e Millosheviqit, aty ku valon flamuri i Serbisë, ku shpërndahen faturat serbe, të energjisë elektrike, ne merremi me çështjen: Duhet, apo s'duhet lejuar Boris Tadiqin të vizitoj Kosovën!
Skenari dhe regjia antishqiptarëve po jetësohet "pikë për pikë" edhe këtej lumit Ibër. I lejohet pasardhësit të Sllobodan Millosheviqit, alter egos së tij - Boris Tadiqit të vizitojë Kosovën !

Sërish krerët e vendit tonë i "mbyllën sytë", lejuan vizitën e këtij antishqiptari, me rastin e kremtimit të kërshëndellave ortodokse në manastirin e Deçanit. Tadiqi kërkesën për këtë qëllim e kishte adresuar tek zyrtarët më të lartë të EULEX-it, ndërkaq, këta të fundit, kërkesën e bartën tek institucionet tona, ngase, de lege, këta janë kompetent për të vendosur. Tjetër është drejtësia, tjetër politika. Zakonisht, politika ia "shkel këmbën" drejtësisë.

Në Deçan, ky kundërshtar i pavarësisë, i rrethuar nga pjesëtarët e KFOR-it italian, policisë sonë dhe asaj të Eulex-it, u prit me fishkëllimat e banorëve të kësaj ane, ndër ta edhe veteranë të luftës së UÇK-së. Me të arritur në orët e pasdites të së mërkurës (6 dhjetor), pasi u përkul dhe u kryqua, në prani të popave, në mesazhin e tij drejtuar "qytetarëve të Serbisë" nuk harroi pa e përmendur "Kosovën e Metohinë".

"Mësiti" i fortë, EULEX-i, e luajti lojën e politikës, i bindi politikanët tanë të lëshojnë pe, t'ia bëjnë qejfin politikanit serb, ndryshe ai kurrën e kurrës nuk do ta shihte Kosovën me sy, pos me dylbi! Se u luajt loja këtë e dinë edhe ata që shesin në pazar patëllxhanë, speca, lakra, patate... e lëre më të tjerët.

Ndodhin "fizkulturat" politike. Atij që të shan i thuhet: Eja, s' ka problem, veç rri urtë, mos na nxjerrë telashe...
Evropianët me "dizgjinët e gjatë" si duket tanëve ua lënë këmbët e arushës në dorë. Kur ka mashën, pse të djegë dorën !

Megjithëkëtë, Qeveria jonë nuk ia "prishi" ndërkombëtarëve, u dakordua - për hir të demokracisë, nuk hyri në një thes me të keqin që rron nga mitet. Presidenti kroat Stipe Mesiqi nuk e tha më kot:" Serbia është e ngarkuar me mitet e Kosovës".

"Njeriu i Beogradit" hyri në territorin tonë me "izën" e kryeministrit të republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, ngase pa lejen e tij e tërë aventura do të shkonte huq.
Tadiqit iu lejua vizita me të vetmin kusht që t'i përmbahet "protokollit", të mos "hyn në politikë", të mos mbajë fjalim politik, ndryshe do të merren "masat adekuate ligjore"!

Lexuesit e Telegrafi online shprehën reagimet e tyre. Njëri ndër ta, i nënshkruar "Pyetsi" për Tadiqin shkruan:"Pse s'po shkon mi vizitu shkijet ne Kroaci pa vet ?", tjetri - Aliu shtoi:" O burra Thaçi e Sejdiu janë vetëm valltarë, këtu tjetër kush i bjen defit...e këta vallëzojnë qysh t'i bie muzikës Eulex-i".

Dhelpra e Beogradit s' ka pikësynim kremten e kërshëndellave, por të bëjë propagandë antishqiptare, ta luaj lojën e politikës, tu thotë të vetëve: Ja shihni, unë e kam "bombarduar" Prishtinën, vijë këtu, në Kosovë, kur të më teket.

Edhe vjet, pikërisht më 17 prill, për Pashkët ortodoks, Tadiqit iu lejua vizita të shkoj në të njëjtin manastir me të vetmin kusht, të mos "hyjë në politikë", por ai le që nuk iu përmbajt kushtit, mbajti fjalim të zjarrtë për Kosovën, të cilën e quajti "tokë serbe". Ai erdhi në Kosovë për të fituar "poenë politikë".

Zotëri Tadiqit, këtij lojtari të "bixhozit politik" shihet se është "kah ia do letra". Ai ka futur nën "sqetull" pjesën veriore të Kosovës. Politikanët tanë sikur janë në gjumë, s'po i shohin "salltat serbe". Deputetët kanë të vetmin preokupim si t'i rrisin pagat, t'i marrin nga 2000 euro, nuk vrasin mendjen se janë përfaqësues të popullit, këqyrin interesin e tyre personal. Punojnë për vete, jo për shtetin!

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti iu kundërvua vizitës së Tadiqit në Kosovë, por me një lule s' vjen behari, thotë një urti jona.

Mysafiri i paftuar, Tadiqi i bëri njëqind të zeza. Regjimi i tij , në parlament miratoi buxhetin, një hise në shumë prej 42 milionë euro i dhuroi strukturave paralele matanë lumit Ibër, "shoi gjykatat" e Kosovës, themeloi të vetat, me "seli" në Mitrovicë. Këtu themeloi "gjykatën e lartë" dhe atë "themelore "- me "filialet" - në Shtërpcë, Gorazhdec, Graçanicë dhe Ranillug. Ai mbase, do të mburret me "gjykatat e katundeve". I kishte mbetur eksik - vetëm vizita në Kosovë, dëshirë kjo e cila iu plotësua, për ta përmbyllur një kapitull. Cili do të jetë kapitulli tjetër?!