Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj nxjerr pistoletën në shesh: Goditet kreu i PD-së
Gjithçka ndodhi gjatë një përplasjeje fizike brenda në KZAZ Nr. 1 ndërmjet simpatizantëve të forcave politike. Disa prej tyre kanë hyrë të armatosur brenda mjediseve ku po zhvillohet numërimi i votave.
Në këtë bashki konkurrojnë Tonin Marinaj (ASHE) dhe Anton Kokaj (APPD).
Në konflikt është përfshirë edhe kryetari i PD-së për Malësinë e Madhe, Pierin Spathari, i cili është goditur me grushte.
Zyra për shtyp e PD-së tha se në konflikt u përfshi deputeti Sterkaj duke nxjerrë një pistoletë.
Sterkaj reagoi duke mohuar që të jetë përfshirë në sherr. Ai pranoi që ishte aty, por shtoi se kishte ndërhyrë për të ndarë palët.
Ndërsa, kandidati i APPD, Anton Kokaj, tha se “sherrin e nisi Paulin Sterkaj me bandën e tij, që ka dy muaj që ushtron dhunë në Malësinë e Madhe. Sterkaj më pas, sikur të mos mjaftonte me kaq, i drejtoi pistoletën qytetarëve”.
Kandidati i opozitës thotë se për Sterkajn këto janë gjëra të zakonshme: “Paulin Sterkaj është i prirë për situata të tilla. Ne ndërhymë me shumë kujdes, por edhe me ardhjen e Policisë situata u qetësua”.
Rreth 20 forca policie janë munduar të qetësojnë situatën, ndërsa menjëherë kanë mbërritur edhe forcat speciale, si edhe drejtues të Policisë së Shkodrës. Megjithatë situata mbetet e tensionuar. Partia Demokratike akuzon militantët e PS-së se kanë goditur me grushte kryetarin lokal të demokratëve.
Në këtë bashki janë numëruar 50 nga 79 kuti dhe kandidati i aleancës së majtë, Tonin Marinaj, udhëheq me rreth 800 vota diferencë ndaj rivalit të tij.
Ndërkohë, në Shkodër kanë mbetur edhe gjashtë kutitë e fundit dhe kandidatja e APPD, Voltana Ademi, kryeson me rreth 10 mijë vota ndaj Keti Bazhdarit të ASHE-së. /NOA/


