Please enter at least 3 characters.

Dani Carvajal nuk e mendon pensionimin: Do të vazhdoj të luaj

Mbrojtësi spanjoll Dani Carvajal ka konfirmuar se nuk planifikon të pensionohet pas largimit nga Real Madrid, duke theksuar se dëshiron ta vazhdojë karrierën e tij si futbollist edhe pas përfundimit të aventurës në “Santiago Bernabeu”.

34-vjeçari i dha fund një epoke të suksesshme me klubin madrilen këtë fundjavë, pasi zhvilloi më shumë se 450 ndeshje dhe fitoi 27 trofe madhorë me fanellën e Real Madridit.

Në një intervistë për “El Chiringuito TV”, Carvajal bëri të qartë se pensionimi nuk është pjesë e planeve të tij të afërta, pavarësisht largimit nga klubi ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës.

“Tani do ta shijoj pak verën, por do të vazhdoj të luaj. Kjo është e qartë dhe e vendosur për mua”, deklaroi ai.

Ai shtoi se ende nuk ka marrë një vendim për klubin e ardhshëm.

“Do të shohim cilat janë opsionet më të mira për mua dhe familjen time, dhe më pas do të marr vendimin”, u shpreh mbrojtësi spanjoll.

Sipas raportimeve të mëhershme, Carvajal është lidhur me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite ose te klubi italian Como, por vetë lojtari insistoi se asgjë nuk është vendosur ende.

“Nuk e di, vërtet nuk e di. Për momentin jam i hapur ndaj të gjitha opsioneve dhe po punojmë për këtë”, përfundoi ai./Telegrafi/