Please enter at least 3 characters.

Banka Raiffeisen, 10 vjet në Kosovë

2016/01/f.0709135435739_m.jpg

Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Bankës Raiffeisen tha se gjatë këtyre viteve sa kanë operuar një nga zhvillimet kryesore në Kosovë ka qenë krijimi dhe menaxhimi i suksesshëm i një sektori stabil financiar. “Ne, në Bankën Raiffeisen po ashtu ndihemi krenar se kemi qenë pjesë e këtij suksesi, se kemi arritur të japim kontributin tonë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës në përgjithësi, si dhe në zhvillimin e sektorit bankar në veçanti”, shtoi Wright.

Për të ilustruar zhvillimin e Bankës gjatë këtyre 10 vjetëve, Banka Raiffeisen në Kosovë ju ka referuar disa të dhënave financiare për vitin 2003 dhe vitin 2013. Në vitin 2003, Banka Raiffeisen në Kosovë ka pasur 56 milionë euro asete, përderisa në fund të marsit të vitit 2013, asetet e përgjithshme të bankës ishin 609 milionë euro. Kreditë dhe paradhëniet për klientë ishin 13 milionë euro, ndërsa në mars të vitit 2013 janë 455 milionë euro. Përderisa depozitat në vitin 2003 ishin 50 milionë euro, në fund të marsit 2013, ato kapin shifrën prej 506 milionë euro. Ndërsa, aktualisht Banka Raiffeisen në Kosovë ka 50 degë dhe nëndegë në të cilat ofrojnë shërbime bankare afër 700 punonjës.

Gjatë këtyre 10 vjetëve, Banka Raiffeisen në Kosovë ka luajtur rolin e nismëtarit në prezantimin e produkteve dhe shërbimeve bankare, disa prej të cilave edhe për herë të parë në Kosovë. Banka vazhdon të zbatojë këtë qasje nismëtare edhe tani me produktet dhe shërbimet e saj bankare. Në fillim të këtij viti, Banka Raiffeisen ka prezantuar për herë të parë në Kosovë produktin bankar Faktoring për korporata, Linjën e kredisë për kapital punues për ndërmarrjet e mesme, dhe vetëm një muaj më herët ka prezantuar tri kartela të reja: Visa Plus dhe Visa Gold Card (për individë) dhe Visa Business Card (për biznese). Kartelat Visa për individë ju mundësojnë klientëve të bëjnë blerje edhe në këste.

“Kam kënaqësinë që sot të konfirmoj përkushtimin tonë ndaj përgjegjësisë sociale edhe gjatë këtij viti kur po e shënojmë 10 vjetorin në Kosovë. Do ta japim një donacion në vlerë prej 100,000 Euro dhe meqenëse kjo është shuma më e madhe që e kemi dhënë si donacion, ne do ta marrim edhe mendimin e klientëve tanë për fushën të cilën do ta përkrahim me këtë shumë: shëndetësi, sport, kulturë, mirëqenje sociale dhe edukim. Klientët mund të japin mendimet e tyre në web faqen tonë dhe në facebook”, tha Wright.

Ndryshe Banka Raiffeisen është bërë pjesë e sektorit bankar në Kosovë në vitin 2003 kur edhe ka përfunduar blerjen e aksioneve të Bankës Amerikane të Kosovës dhe e ka riemërtuar atë si Banka Raiffeisen në Kosovë. Që nga atëherë, Banka Raiffeisen ka funksionuar si bankë universale duke ofruar produkte dhe shërbime bankare për të gjitha kategoritë e klientëve: individë, ndërmarrje të vogla e të mesme dhe korporata. /Telegrafi/