Please enter at least 3 characters.

Akuza për “Ballistin”: Të drejtën e “Autochthonous” kërkoja serbëve!

2016/01/akuza-p-euml-r-ldquo-ballistin-rdquo-t-euml-drejt-euml-n-e-ldquo-autochthonous-rdquo-k-euml-rkoja-serb-euml-ve_hd.jpg

Zyra Shqiptare për të drejtat e autorit pranë Ministrisë së Kulturës të Republikës së shqipërisë, në dt. 16 janar 2015, i ka dhënë Ismail Morinajt, të njohur me nofkën Ballist Morina, çertifikatën zyrtare për të drejtën e autorit për veprën me titull “AUTOCHTHONOUS”, sipas një kërkesë që ka bërë Morinaj në të njëjtën ditë, në 16 janar. Sipas çertifikatës të nënshkruar nga drejtori i Zyrës Shqiptare për të drejtat e autorit, vepra me titull AUTOCHTHONOUS” kategorizohet sipas nenit 7/dh të Ligjit “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”.

Por cili është emërtimi i kësaj vepre të quajtur AUTOCHTHONOUS”? Neni 7/dh flet për “Çdo krijim tjetër që shprehet në mënyrë të ngjashme me fotografinë.” Vepra e quajtur “AUTOCHTHONOUS” nuk është fotografi, por një katërkëndësh prej bezeje i ngritur me dron në Beograd, dhe që gjendet e konfiskuar nga Policia e Serbisë, si provë për një vepër penale. Kur jepet një çertifikatë zyrtare për të drejtën e autorësisë për një objekt, atëherë ky duhet të emërtohet dhe të përshkruhet saktë.

Ismail Morinaj ka thënë se “AUTOCHTHONOUS” është një flamur. Zyra Shqiptare për të drejtat e autorit nuk mund t’ i jepte atij të drejtën e autorit për një flamur të ri, sepse kaq mend i kanë injorantët e kësaj zyre. Sepse e dinin që do të thoshte që një zyrë qeveritare e Republikës së Shqipërisë të pohonte se ka ligjëruar një flamur të dytë të Shqipërisë. Prandaj, Zyra Shqiptare për të drejtat e autorit ka vepruar djallëzisht, duke e ligjëruar flamurin e dytë, pa e quajtur atë “flamur”, por si një send pa emër.

Kur çertifikohet e drejta e autorësisë mbi një objekt, personi mëtues duhet të paraqesë origjinalin e objektit mbi të cilin mëton autorësinë. Pra, zyrtarët e ngarkuar me shqyrtimin e kërkesës së Morinajt duhet ta pyesnin se ku është origjinali i objektit dhe t’ ia kërkonin që t’ ua sillte si provë. Morinaj nuk mund ta bëntë këtë se origjinali i flamurit të dronit gjendet në Beograd. Në çertifikatën e Zyrës Shqiptare për të drejtat e autorit thuhet se Morinaj e ka provuar autorësinë e tij me një deklarim te noteri, ku thotë se ai është autori i “AUTOCHTHONOUS”. Kjo nuk është aspak një provë e mjaftueshme për të vërtetuar autorësinë, aq më tepër për një objekt si ai, që ka të bëjë me një ngjarje aq të ndërlikuar. Me deklaratën noteriale Morinaj thjesht ka mëtuar autorësinë.

Meqënëse në çertifikatë nuk emërtohet objekti, ky akt zyrtar, logjikisht, këtë e them sipas logjikës juridike, është null and void, pra i paqenë. Por, meqënëse për Morinajn dhe për shtetin shqiptar logjika juridike është tjetërlloj, tashmë Morinaj ka të drejtë të kërkojë origjinalin e të ashtuquajturit “AUTOCHTHONOUS” në Serbi, madje dhe shteti shqiptar ka detyrimin që t’ ia kërkojë zyrtarisht Serbisë kthimin e këtij objekti që e mban pa të drejtë.

Morinaj, para se të publikonte çertifikatën e së drejtës së autorit, bëri një debat tërthorazi me mua, me këtë paragraf të një statusi të tij në Facebook:

“Dhe nji shpjegim te vogel, eshte tentuar te ju serviret ne muajt e kaluar qe me flamurin AUTOCHTHONOUS Morina po kerkonte gjoja dublimin e famurit kombetar,haaaaaaaaa, shum gjetje e djallzuar nga ata qe e kan hapur si lajm.

Morina u thote qe flamuri KOMBETAR asht nji dhe i pazevendesueshem ndersa flamuri AUTOCHTHONOUS lindi si nevoje per forcim te vetdijes kombetare. “

Njeriu që I ka thënë Morinajt, se qëllimi i operacionit të paraqitjes së flamurit të zit ë dronit në Beograd, ishte dublimi i flamurit kombëtar shqiptar, jam unë dhe këtë e kam thënë me shkrim dhe në një emision televiziv në prill të këtij viti, ku ishte i ftuar edhe ai por nuk u paraqit. Unë jam ai që kam thënë atje se flamuri kombëtar është një dhe i pazëvendësueshëm dhe krijimi i çdo flamuri që mëton ta dublojë atë është një akt i tradhtisë kombëtare. Nejse.

Sipas atyre që thotë Morinaj në statusin e 28 gushtit del se flamuri kombëtar historik shqiptar, me fushë të kuqe e shqiponjë të zezë, na qenka flamuri i vetëdijes së dobët kombëtare dhe për këtë arsye, atij, vinçierit, që nuk tregon asnjë video, jo më foto duke drejtuar një vinç, i lindi ideja për të krijuar një flamur të ri, me fushë të zezë, të aftë për të ngritur vetëdijen kombëtare. Flamuri i Skënderbeut nuk e kryen dot më funksionin e vetëdijësimit kombëtar, kështu që këtë gjë këtej e tutje do ta bëjë flamuri i Ismailit nga katundi Shikaj i Kukësit. Jo se kam ndonjë gjë me katundarët, por asnjë katundar me mend nuk mëton që katundarët mund të bëjnë flamurë të vetëdijës së lartë kombëtare. I fundit katundar që bëri një flamur ishte Haxhi Qamili nga Sharra e Tiranës dhe dihet cfarë flamuri bëri. Çfarë domethënie tjetër ka ajo që thotë Morinaj se ky flamuri i ashtuquajtur AUTOCHTHONOUS na qenka krijuar për fuqizimin e vetëdijes kombëtare, përveç asaj që kombi shqiptar këtej e tutje ka dy flamurë, një të vetëdijes së ulët kombëtare dhe një tjetër të vetëdijes së lartë? Morinaj duket se i harron fjalët që ka thënë, ose ato që thotë ai nuk dalin nga mendja e tij.

Në emisionin “AUTOCHTHONOUS”, të shfaqur nga Digitalb në korrik, intervistuesi Dritan Shakohoxha, në nisje të intervistës me Morinajn tha se në orën 21:26 minuta në qiellin e Beogradit u shfaq një dron me një flamur dhe shtoi: “Është flamuri i Shqipërisë Etnike. Flamuri më i bukur në botë.”

Pastaj Shakohoxha iu drejtua Ismail Morinajt duke i thënë: “Ky është flamuri jot. Ti e ke krijuar këtë flamur?”

“Po”, u përgjegj Morinaj.

Kështu Morinaj na pohoi se Flamuri “AUTOCHTHONOUS” është flamuri i Shqipërisë Etnike. Kështu, sipas Morinajt, Shqipëria Etnike na paska një flamur të ndryshëm nga ai kombëtar shqiptar, një flamur me fushë të zezë. Por Shqipëria Etnike është një aspiratë dhe projekt historik nacional shqiptar për të cilën është punuar dhe luftuar me flamurin historik shqiptar, atë me fushë të kuqe, të Skënderbeut. Projekti i Shqipërisë Etnike u shpall zyrtarisht botërisht nga Lidhja e Prizrenit, në prill 1881 dhe në Kuvendin e Vlorës, në 1912, me flamurin kombëtar shqiptar, atë të Skënderbeut. Shqipëria Etnike si aspiratë nuk ka nevojë për një flamur të ri, të ndryshëm.

Flamuri “AUTOCHTHONOUS” i quajtur si Flamuri i Shqipërisë Etnike, nuk ka kuptim tjetër veçse që të legalizohet në Shqipëri dhe në përgjithësi te kombi shqiptar cilësimi që Serbia i bëri bannerit të dronit që në mbrëmjen e 14 tetorit si “Flamuri i Shqipërisë së Madhe”.

Morinaj, në statusin e 28 gushtit, të cituar më lart, thotë duke mbrojtur emërtimin “flamur” të bannerit të dronit: “BANDEROLA?? Ah banderola,po ekzakt banerola, ajo nuk eshte banderol dhe per kete mund te ju bind me nji shpjegim te thjesht,nese ju (ne) e cilsoni si flamur nji flamur karburanti ose te njej force politike kushdo qofte ajo pse atehere nuk mund te quhet flamur AUTOCHTHONOUS ajo qe u shpalos ne Beograd dhe pse ne duhet tu japim kahje negative gjerave kur ata jane te bukura?”

Me këtë Morinaj vetëm sa tregon mungesën e plotë të respektit për flamurin kombëtar shqiptar. Sepse flamuri kombëtar nuk mund të tjetërsohet duke u dizenjuar versione të tij, ashtu si dizenjohet flamuri i një gas station (stacioni furnizimi me karburant), apo i një partie politike. Morinaj praktikisht na thotë se ashtu siç bëhet flamuri i një stacioni karburanti, i ndryshëm nga stacioni fqinj, ose më saktë flamuri i kompanisë së karburantit, ashtu dhe unë bëra një flamur të Shqipërisë Etnike, me fushë të zezë. Kjo gjë nuk ka emër tjetër veçse tjetërsim i flamurit kombëtar, se Shqipëria Etnike si aspiratë ka si flamur atë me fushë të kuqe e shqipe të zezë, me të cilin u luftua për Shqipërinë Etnike, paçka se në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare kufijtë e shtetit shqiptar u dizenjuan të ndryshëm nga harta e Shqipërisë Etnike.

Ironia e madhe është se i ashtuquajturi Flamur AUTOCHTHONOUS, në hartën e tij nuk tregon as trojet ku shqiptarët kanë qenë autoktonë. Në hartën e trojeve ku shqiptarët kanë qenë autoktonë të flamurit të dronit nuk bëjnë pjesë trojet ku kanë ndodhur ngjarjet e Eposit të Kreshnikëve, të cilat gjenden në Bosnjën e sotme veriore dhe në Dalmaci (Kroacinë e sotme). Nëse harta e flamurit të dronit do të tregonte trojet ku shqiptarët kanë qenë historikisht autoktonë, atëherë duhet të përfshinte Kroacinë, Slloveninë, vec Bosnjë-Herzegovinës.

Morinaj, duke marrë të drejtën e autorit për flamurin e dronit ka bërë vjedhje të hapur, sepse ai vetë ka pohuar që disa elementë të flamurit të tij i ka marrë nga interneti, siç është harta, dhe fotografitë e stilizuara të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Të gjitha këto nuk janë pronë e tij, ai thjesht i ka bashkuar ato në rastin më të mirë. Morinaj është pra një hajn i rëndomtë i Internetit. Kur Zyra Shqiptare e të drejtave të autorit çertifikon autorësinë e këtij njeriu mbi një ansambël grafik të paraqitur prej tij, kjo do të thotë se ka vepruar si ai hajni i zgjedhur si arbitër në një grindje hajnash për sendet e vjedhura nga shtëpitë në Itali, gjë për të cilën duhen aftësi si ato që tregoi Morinaj duke u ngjitur në rrjetën rrethuese të stadiumit në Slloveni. Hajni i zgjedhur arbitër e shpall pronar të sendeve atë që i vendos ato para tij, pa pyetur për origjinën e tyre.

Morinaj nuk është autori as i flamurit të dronit, as i ngritjes së dronit në stadiumin e Beogradit. Morinaj ende nuk thotë me saktësi llojin e dronit që ka përdorur. Morinaj, i cili debaton me mua tërthorazi, se nuk ka kurajë të ballafaqohet drejtpërdrejt në debat televiz (ftesa për këtë mbetet ende në fuqi), të jetë i sigurt se shpejt do të ballafaqohet me mua përpara Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse kjo gjë i pëlqen ndonjë prokurori ose jo. /Kastriot Myftaraj/

PO ASHTU LEXONI: "Ballisti" merr të drejtën e autorit për “Autochthonous” (Dokument)