A mos ka nevojë Evropa për syza?!
E filluar për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Evropa duke mos mundur të integrohej mbarë ndonjëherë gjatë historisë së saj komplekse, vetëm pas Luftës së Dytë Botërore përvoli mëngët me qëllim të integrimit të të gjithë qytetarëve të saj brenda një ‘sajesë’ të vetme, pra BE-së. Emërtimi ‘sajesë’ ka të bëjë me atë që projekti i BE-së nuk është përfunduar dhe gjasat për t’u përfunduar me sukses nuk janë shumë reale.
Kjo ‘sajesë’ në fillesat e saj sa atraktive dukej dhe prosperuese. Ky relaksim ‘evropian’ mundësohej nga fakti që: i) Evropa ishte lodhur me luftëra të pafundme ku herë qendra e herë periferia mbizotëronte; ii) resurset në nivel global ishin më të bollshme sesa që janë sot; iii) konkurrenca mes shteteve dhe rajoneve ishte më e dobët sesa që është sot.
Si i rrjedhojë e globalizimit, i cili në fillesat e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar mprehte brinjët për një ndryshim kolosal të botës në aspektin e bashkëpunimit multidimensional mes shumë akterëve, zona të ndryshme të botës filluan të lulëzonin si kurrë më parë. Vlen të përmenden, ndër të tjera Zonat e Tregtisë së Lirë nëpër pjesë të ndryshme të botës që përfshinin shtete me potenciale në rritje për pjesëmarrje me afsh në tregjet globale, kompleksiteti i të cilave vetëm sa po shtohej brenda një konkurrence globale në rritje. Ndërkohë, primati që kishte marrë Perëndimi (kryesisht SHBA dhe BE) mbi botën që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në fund të viteve ‘90-ta po ndryshonte dalëngadalë.
Resurset natyrore, si baza e zhvillimit ekonomik të një vendi, pjesa më e madhe e të cilave pothuajse ishin nën shfrytëzimin e Perëndimit, tashmë kishin filluar të ‘ndaheshin’ dhe me pjesë tjera prosperuese të botës. Krahas zhvillimit të hovshëm ekonomik të pjesëve të ndryshme të botës, filluan të rriten dhe apetitet për sa më shumë resurse për të mbajtur ekonomitë gjallë. Dhe, kjo nuk mund të shkonte pambarimisht kështu. Ndaj, vështirësitë filluan pikërisht aty ku resurset filluan të jenë më të pakta si pasojë e ‘ndarjes’ së tyre mes Perëndimit dhe pjesëve tjera prosperuese të botës, në njërën anë, dhe rritjes së numrit të njerëzve në glob si asnjëherë më parë, në anën tjetër.
Lufta për tregje nuk është bërë dhe as që do të bëhet ndonjëherë sa duhet ndershëm dhe kështu veproi ‘sajesa’ BE ndaj tregjeve të vendeve ish komuniste të Evropës Qendrore dhe Juglindore, sado që në pamje të parë kjo qasje e BE-se ndaj ish botës komuniste dukej ‘ledhatuese’ dhe ‘shpresëdhënëse’.
Si rezultat i mungesës së një qasjeje programatike dhe të shëndoshë nga ana e BE-së ndaj Evropës Juglindore, rrodhën ‘elitat’ e korruptuara dhe kriminalizuara në këtë rajon problematik, të cilat krahas privatizimit të çdo gjëje u pasuruan deri në atë masë sa që sot kanë nën kontroll çdo cep të jetës së qytetarëve në këtë rajon të varfër - në mendje dhe ekonomi. Dhe, kur ndodh kështu, atëherë nuk mbetet gjë tjetër përpos shpërnguljes masive të qytetarëve drejt një jete më të mirë, sindrom ky që ka përfshirë tërë Evropën Juglindore dhe as që do i shihet fundi duke patur parasysh nevojën e madhe të BE-së për fuqi të re punëtore.
Pra, këtu, Evropa, përmes ‘sajesës’ së saj BE-së jo që nuk i ndihmoi aspak integrimit të saj, por përkundrazi i ‘kontribuoi’ aq fort dezintegrimit dhe devalvimit të Evropës Juglindore, sa njerëzit e këtij rajoni vetëm mendojnë se si të emigrojnë jashtë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Ngushtimi i tregjeve dhe ‘ndarja’ e resurseve mes perëndimit dhe pjesës tjetër të botës, dhe jo vetëm kjo, shkaktoi dhe krizën financiare të perëndimit të vitit 2008 e cila konfirmoi që ‘sajesa’ BE nuk ishte ndërtuar për të gjithë, por vetëm për shtetet e forta të cilat duke rritur prodhimin dhe produktivitetin e tyre kanë nxjerrë tërësisht nga loja rajonin tonë, përfshirë hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë, më specifikisht shqiptarët.
Pra, ‘sajesa’ BE më shumë interesohej për zgjerimin e saj për interesa të thjeshta ekonomike, sesa për pjesën ish-komuniste të Evropës. A nuk ishte kontribut i jashtëzakonshëm drejt evropianizimit të Evropës, solidarizimi i shqiptarëve me lëvizjet demokratike polake, çeke e hungareze? Bashkë me lëvizjen “Solidarnost” në Poloni, pranvera shqiptare e vitit 1981 është njëra nga lëvizjet më të fuqishme në Evropën Lindore që më vonë u përfshi në proceset demokratizuese, të cilat përshkuan tërë Evropën Lindore.
Në kohën kur Kosova po përballej me politikat e aparteidit serb, sidomos nga viti 1981 e deri në vitin 1999, BE-ja ishte më shumë e interesuar në zgjerimin e saj kryesisht ekonomik e shumë pak politik, krijimin e tregut të brendshëm me valutën e përbashkët dhe lëvizjen e lirë të personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit si dhe bashkimin e Gjermanisë. Kjo deri diku funksionoi mirë, derisa konjunkturat e zhvillimit global ishin duke shkuar në nivel premtues sidomos për hapësirën e BE-së.
Përderisa BE-ja po shënonte ditë të mira prej 1981 deri në vitin 1999, Kosova gjatë kësaj kohe po shënonte ndër ditët më të vështira të historisë së saj më të fundit. Derisa BE-ja po nënshkruante traktate prosperimi, Kosova po degradonte siç qe më së keqi nën pushtimin serb. Të gjitha përpjekjet për demokratizim të qytetarëve të Evropës Juglindore disi nuk u vlerësuan sa duhet nga BE-ja dhe ato le që nuk u vlerësuan, por as që u mbështeten me ndonjë qasje programatike dhe të shëndoshë nga ana e BE-së. E, efekti dihej, Evropa Juglindore u zhyt në kaos, mungesë perspektive totale ekonomike, gjendje kjo që po vazhdon dhe sot. Ndërkohë, Kosova me pjesë tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, ashtu-kështu ishte më e varfra gjatë ‘vëllazërim-bashkimit’ jugosllav dhe për ketë gjendje shume pak interesohej Evropa. Bile-bile për shkapërderdhjen e lëmshit jugosllav Evropa nuk ishte shumë e entuziazmuar dhe si rezultat i kësaj qasjeje Evropës as që i interesonte për ‘produktet’ (lindjen e entiteteve të reja) që do të pasonin pas luftërave në ish-Jugosllavi.
Dhe, duke qene kështu, Evropa, përkundër situatës së mjerë jugosllave, e mbështeste dhe më tej integritetin territorial të Jugosllavisë duke neglizhuar kështu kërkesat në rritje për shkapërderdhje. Pra, gjatë procesit të shpërbërjes se ish-Jugosllavisë kishte tri dinamika që nuk mund të përputheshin mes vete: i) dinamika e parë ishte më e shpejtë sepse republika të caktuara të ish-Jugosllavisë ishin zhytur tashmë në luftëra të tmerrshme për territore pa ua ditur kush fundin; ii) dinamika e dytë që ishte tejet e ngadalshme kishte të bënte me neglizhencën e BE-se karshi këtyre zhvillimeve; iii) dinamika e tretë kishte të bënte me përpjekjet e BE-së për riorganizimin, integrimin e saj të brendshëm me synim zgjerimin e saj. Mos koordinimi i këtyre dinamikave dëshmoi pafuqinë e BE-së për parandalimin dhe menaxhimin e jo vetëm të situatave konfliktuale, por edhe të atyre post-konfliktuale. Në këtë drejtim Evropa as sot nuk është më ndryshe.
Ishte pikërisht Evropa, e cila e dërmuar nga Lufta e Dytë Botërore, mbylli sytë para ndarjes së shqiptarëve nga trungu shqiptar dhe gllabërimi jugosllav i pothuaj gjysmës së territorit shqiptar. Injorantët dhe naivët do të thoshin se ishin shqiptarët ata që nuk deshën të bashkoheshin në një shtetet të vetëm shqiptar, por e vërteta ishte se shqiptarët si atëherë ashtu dhe sot nuk mund të impononin politika përballë atyre që atëherë quheshin fuqi të mëdha e më vonë u vetëquajtën bashkësi ndërkombëtare. Këtë e vërteton gjendja e sotme, ku shqiptarët ende nuk po kanë mundësi të bashkohen në një shtet të vetëm. Duke qenë kështu, shqiptarëve nuk u mbeti rrugëdalje tjetër përpos ajo a shprehjes së pakënaqësisë në forma të ndryshme, gjë e cila u kushtoi jashtëzakonisht shumë, sidomos me humbje jetësh të njerëzve dhe humbje të mëdha në të mira materiale. Fatkeqësisht, i tërë ky kontribut për liri dhe barazi mes popujsh i shqiptarëve mbetej vetëm brenda suazave të sovranitetit territorial të ish-Jugosllavisë dhe çdo hap përtej kësaj shuhej me mjete te dhunës nga aparteidi jugosllav, ndërkohë që Evropa ishte vetëm spektator në këto ngjarje të dhimbshme. Kjo vazhdonte pambarimisht derisa shpërbërja e Jugosllavisë u bë realitet.
Ashtu siç edhe pritej, BE-ja gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, më shumë ishte e brengosur me ribashkimin e Gjermanisë dhe mjeteve për të ‘neutralizuar’ fuqinë në rritje gjermane, si dhe kufizimin e mundësisë së dominimit të saj në tregun e BE-së dhe më gjerë, sesa me zhvillimet vluese në Ballkan. Për më tepër, BE gjatë kësaj kohe ishte më tepër e preokupuar me zgjerimin e tregjeve, anëtarësimin e shteteve, funksionalizimin e Marrëveshjes së Schengenit (që përfshinë katër liritë fondamentale të lëvizjes së lirë), kurse shumë pak ishte e interesuar, ose së paku dukej ashtu, për kaosin jugosllav, që cila në esencë vuri në pikëpyetje fuqinë politike të BE-së. Fakti që Kosova padrejtësisht vazhdonte të mbetej nën sferën lindore të influencës, pra nën pushtimin serb, as i qe u bënte përshtypje elitave politike në Perëndim e besa as shumicës së elitave shqiptare të kohës së komunizmit.
Kështu, shqiptarët e Kosovës me luftën e tyre çlirimtare, të imponuar nga pushtuesi serb, kontribuuan në demokratizimin e kësaj pjese problematike të Evropës, ashtu sikurse kontribuuan Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja. Sa sa i vështirë ishte për t’u zgjidhur problemi i Kosovës, dëshmoi përfshirja e tërë aleancës veriatlantike të NATO-s, e cila për një periudhë tremujore bombardimesh sistematike, gjunjëzoi Ushtrinë serbe. Përfundimisht, Lufta e Kosovës hoqi çdo paragjykim që kishte mbretëruar se vendi do të mund çlirohej me mjete paqësore, por që edhe lëvizja paqësore kishte efektet e saj aty ku ju dha mundësia të vepronte. Kjo bëri që bashkësia ndërkombëtare të hynte në bisedime me Ushtrinë Çlirimtare te Kosovës (UÇK) dhe forca tjera politike për të ardhmen e Kosovës, duke kulmuar kështu me Marrëveshjen e Rambujesë së vitit 1999. Përpjekjet shekullore të shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga pushtuesi serb përfundimisht morën rrugën e duhur, duke arritur kështu që të largohej tërë aparati pushtues serb. Prandaj, përfundimi i luftës në Kosovë shënon dhe një hap të rëndësishëm drejt demokratizimit të rajonit të Evropës Juglindore dhe rrjedhimisht Evropës.
Mirëpo, edhe pse Kosova tashmë ishte çliruar, në të ishte e instaluar një administratë e Kombeve të Bashkuara, një pjesë e së cilës ishte nga BE (shtylla e katërt e UNMIK-ut). Shtylla e Katërt e UNMIK-ut faktikisht menaxhohej nga BE, kurse juridikisht nga UNMIK-u. Kjo shtyllë e katërt e UNMIK-ut, ashtu sikurse tërë UNMIK-u, i bënë aq shumë dëme Kosovës, saqë pasojat e kësaj katrahure do të ndjehen edhe për një kohë të gjatë. Çdo gjë u ndërtua mbrapshtë dhe në disfavor të Kosovës. Kulmi i të këqijave ishte de-industrializimi i egër i Kosovës përmes procesit të privatizimit, i cili solli pasoja të papara në ngecjen e gjithmbarshme ekonomike në vend. Procesi i de-industrializimit kishte ndodhur edhe në vendet tjera ish-komuniste, ndërkohë që në Kosovë BE-ja vetëm po përmbyllte procesin e de-industrializimit në Lindje duke u hapur rrugën korporatave perëndimore për gllabërim të tregut. Dhe, në fakt kështu ndodhi.
Kontributi i shqiptarëve për demokratizimin e Evropës nuk po përfundonte vetëm me largimin e forcave serbe. Shqiptarët e Kosovës shkuan edhe një hap më tej: në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila kontribuoi dukshëm në stabilizimin e mëtejmë të Ballkanit. Përkundër de-industrializimit të Kosovës nga BE, qytetarët e Kosovës mbetën populli më proevropian në Evropë dhe për këtë asnjëherë nuk u shpërblyen. Si sihariq BE na jepte Asistencë Teknike (këshillëdhënie) në miliarda euro për gjoja ndërtimin e kapaciteteve institucionale, por që kjo asistencë mbi 80 për qind e saj kthehej mbrapa te kompanitë ndërkombëtare zbatuese të projekteve të në Kosovë.
Askush deri me sot në Kosovë nuk është marrë në mënyrë kritike me këto shuma të majme parash të BE-së dhe donatorëve tjerë multilateralë e biletaralë, të cilat sapo vinin në Kosovë menjëherë ktheheshin në tregun e BE-së dhe donatorëve tjerë. Gjithmonë flitej vetëm për kontributin e BE-së në Kosovë, kurse për kontributin e shqiptarëve të Kosovës në demokratizimin e Evropës nuk flitej e as që flitet, sepse BE nuk po njihte pavarësinë e Kosovës. Absurdi është se ne jemi populli me proevropian, ndërkohë që BE na trajton si popullin më pak evropian në Evropë. Kështu, duke mos u njohur nga BE na kanë mbetur dhe probleme të mëdha politike në vend, sidomos problemi i veriut të Kosovës, të cilin BE as edhe një herë të vetme nuk pati guximin ta zgjidhte. Dhe kur ky problem po bëhej edhe më i madh, zgjidhja e tij vetëm sa e ka vënë në sprovë tërë establishmentin politik të BE-së, Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që viktimë është vetëm Kosova, sepse po flitet vetëm për territor të Kosovës.
Nëse u referohemi zhvillimeve globale aktuale, shohim se BE vazhdon të përballet me krizë të brendshme, ashtu sikurse është duke u përballur dhe me krizën e jashtme si terrorizmi, refugjatët, rrudhja e tregjeve etj. Në të tria këto aspekte të jashtme, BE më shumë se sa akter është spektator loje pa ndonjë mundësi ndryshimi të rezultatit. Në dukje jep përshtypjen që është duke u marrë me politika të zgjerimit, por në fakt kjo as që është më prioritet i BE-së, gjithmonë duke parë vështirësitë enorme të brendshme që ka me bllokun e rritur, rritjen e rrymave ekstreme, ardhjen në pushtet të të djathtëve, mundësitë e daljes nga eurozona të shteteve regresive, nga mundësia e ç’anëtarësimit nga BE-ja, prirjet secesioniste nëpër shtete të saj (shih Kataloninë, Baskinë dhe Skocinë), dallimet ekonomike të mëdha veri-jug dhe lindje-perëndim, etj.
Si ka mundësi, që një pushtues klasik si Serbia, e cila ishte shkaktare e luftërave në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Kosovë të shpërblehet më shumë se sa Kosova, e kur dihet që Kosova që nga lufta e dytë botërore e deri me sot ka kontribuar, shpesh me gjak, në demokratizimin e Evropës, kësaj pjese të cilën Evropa e kishte harruar për një kohë të gjatë. Për çfarë kushtesh të plotësuara për heqje vizash na flet BE, kur fqinjët tanë kanë shkallë të paparë të korrupsionit dhe krimit të organizuar?! Pastaj, Ukraina dhe Gjeorgjia, që të dyja u pushtuan pothuajse tërësisht nga Rusia, shtete pothuajse tërësisht jofunksionale nga brenda, me krim të paparë të organizuar!? Si u bë që këto shtete të lëvizin të lira e Kosova jo?! Po a nuk është kjo më shumë se qesharake?! Pastaj, për heqjen e vizave për Kolumbinë çfarë do të mund të thoshte BE?! Kolumbia është ndër shtetet më kriminale në botë, shtet i thyer nga brenda, lufta mes qendrës dhe periferisë e ka gërryer këtë vend, dhe në fund hiqen vizat. A është kjo apo e do të duhej të ishte kështu BE-ja ëndërruar prej shqiptarëve?!
Kontributi i Kosovës në demokratizimin e Evropës është shprehur edhe në Kushtetutën ‘zemërhapur’ të Kosovës, ku minoriteti serb gëzon të drejtat e njëjta me ato të shumicës shqiptare, rast unikal në Evropë. Ky është rasti i vetëm në Evropë, ku pakica është e barabartë me shumicën. Përkundër këtij koncesioni të dhimbshëm që kanë bërë shqiptarët e Kosovës vetëm e vetëm për ta stabilizuar rajonin, Evropa prapë nuk pati vullnetin për ta njohur sa duhet këtë kontribut duke vonuar Kosovën në procesin e integrimit evropian. E keqja është se Evropa po kërkon edhe më tej koncesione nga Kosova përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me shumice serbe në veriun e Kosovës, i cili nëse do të implementohej ashtu siç po kërkon BE dhe Serbia, do të mund ta defunksionalizonte Kosovën nga brenda, ndërkohë që një hap i tillë do të mund të ishte pretekst për shfaqje të pakënaqësisë së tërë shqiptarëve, efektet e të cilave do të mund të reflektonin në tërë rajonin. Dhe, ky reflektim do të mund të ndjehej më së shpejti në Maqedoni e Bosnje si dy shtete me të ardhme të paqëndrueshme, duke ditur thyerjen nga brenda që ekziston në këto dy shtete. Pra, tërë ky kontribut i shqiptarëve të Kosovës disi ka hasur në vesh të shurdhër të BE-së.
Tashmë kur pozita e shqiptarëve në Evropë ka filluar të përmirësohet me hapa breshke dhe kur BE ka filluar me marrjen më shumë parasysh të problemit shqiptar, situata ka filluar të degradojë duke parë krizën e thellë në të cilën është futur BE dhe si rrjedhojë duke mbajtur anash kështu afrimin e mëtejmë të shqiptarëve drejt BE-së. Si duket ‘sajesës’ së Evropës, pra BE-së, ka nevojë t’i jepen një palë syze për të njohur dhe pse jo shpërblyer kontributin e shqiptarëve drejt evropianizimit të Evropës. Dhe, ky shpërblim do të duhej të ishte përshpejtimi i procesit të integrimit evropian ashtu siç ishte përshpejtuar për vende tjera të BE-së.


