A dëmtojnë suplementet bimore mëlçinë? Shumica janë të sigurta, por vetëm nëse ndiqni 3 rregulla themelore
Natyrore nuk do të thotë gjithmonë të padëmshme - ja çfarë duhet të dini para se të filloni me suplementet
Suplementet bimore janë bërë pjesë e rutinës së përditshme të shumë njerëzve që duan të forcojnë imunitetin ose të përmirësojnë shëndetin në mënyrë natyrale. Ato përftohen nga bimët, zakonisht nga gjethet, rrënjët ose lulëzimet dhe janë përdorur me shekuj në mjekësinë tradicionale. Megjithatë, vitet e fundit shkencëtarët paralajmërojnë më shpesh për efektet e mundshme anësore, sidomos tek mëlçia. A është ky shqetësim i justifikuar?
Holistja dhe nutricionistja dr. Geetika Chopra shpjegon se suplementet bimore janë përgjithësisht të sigurta për mëlçinë, me kusht që të përdoren në formën e duhur, në dozën e saktë dhe të jenë nga prodhues të besueshëm.
- Mëlçia përpunon gjithçka që fusim në organizëm, përfshirë edhe substancat bimore. Megjithatë, shumica e bimëve kanë veprim të butë dhe tolerohen mirë. Përkundrazi, shumë prej tyre, si gjemb-gomari (milk thistle), kurkuma dhe amla, njihen për efektet mbrojtëse dhe detoksifikuese, thekson ajo.
Sipas raportimeve të Harvard Health dhe LiverTox, problemet zakonisht shfaqen kur suplementet merren në sasi të tepërt, kombinohen pa kriter ose blihen nga burime të pasigurta, përcjell Telegrafi.
Ashwagandha dhe mëlçia
Një nga suplementet më të përhapura sot është ashwagandha, kujton Chopra.
- Është një nga adaptogjenët më të sigurt. Ndihmon në uljen e stresit, përmirësimin e gjumit dhe balancimin e hormoneve. Rastet e rralla të dëmtimit të mëlçisë që janë raportuar globalisht lidhen kryesisht me mbidozime, përdorim afatgjatë të pakontrolluar ose produkte të ndotura, jo me vetë bimën, shpjegon ajo.
Në dozat e rekomanduara prej 300–600 mg në ditë, dhe kur produkti është cilësor, ashwagandha konsiderohet e sigurt dhe e dobishme. Personat që kanë sëmundje të mëlçisë duhet të konsultohen me mjekun, jo sepse bima është e rrezikshme, por që terapia të përshtatet me gjendjen e tyre.
Përfitimet dhe reagimet e mundshme
Sipas ekspertëve të Mayo Clinic, suplementet bimore rrallë shkaktojnë efekte anësore serioze. Mund të shfaqen shqetësime të lehta si fryrje, ndryshim oreksi ose përgjumje, por këto zakonisht zhduken sapo trupi të përshtatet.
- Përparësia e bimëve është se ato veprojnë butë dhe në mënyrë holistike, njëkohësisht përmirësojnë energjinë, tretjen, gjumin dhe rezistencën ndaj stresit. Ndër më të njohurat janë adaptogjenët si ashwagandha dhe tulsi, kurkuma dhe boswellia që reduktojnë inflamacionin; amla dhe giloja që përforcojnë imunitetin; dhe sikavica që ndihmon në pastrimin e mëlçisë. Bimët si nenexhiku, xhenxhefili dhe kopra, lehtësojnë tretjen dhe fryrjen, shton Chopra.
Kur duhet kujdes i shtuar?
Shumica e të rriturve të shëndetshëm mund t’i përdorin sigurt suplementet bimore, por ka disa përjashtime. Gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji duhet t’i marrin vetëm nën mbikëqyrje mjekësore. E njëjta gjë vlen për personat me sëmundje kronike ose ata që marrin terapi të rregullt, për shkak të mundësisë së ndërveprimeve.
Sipas Cleveland Clinic, personat e moshuar dhe fëmijët kanë metabolizëm ndryshe, ndaj dozat duhet të jenë shumë më të kujdesshme.
Si t’i përdorni saktë në rutinën tuaj?
Dr. Chopra këshillon një qasje të matur dhe të menduar mirë: filloni me një bimë të vetme, vëzhgoni si reagon organizmi dhe zgjidhni gjithmonë produkte të testuara e të sigurta. Suplementet zakonisht merren me ushqim për përthithje më të mirë dhe është e dobishme që herë pas here të ndryshohen kombinimet që organizmi të përfitojë nga profile të ndryshme fitokimikësh.
- Kur përdoren së bashku me një dietë të balancuar, gjumë të mjaftueshëm dhe aktivitet fizik, suplementet bimore mund të jenë një aleat i çmuar i shëndetit, e jo një kërcënim, përfundon dr. Geetika Chopra. /Telegrafi/


