I nderuari Kryeministër,
Sot po hyjmë në ditën e tetë kur nënat e Gjakovës, të përkrahura edhe nga nënat e viseve të tjera të Kosovës, po bëjnë grevë për identifikimin e mbetjeve mortore, që për 10 vite me radhë po mbahen në kontejnerët në oborrin e Institutit për Mjekësi Ligjore. Grevistet po bëjnë grevë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe gjendja e tyre shëndetësore është e rrezikuar seriozisht! Grevistet janë të injoruara krejtësisht nga Misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit (EULEX). Shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon, po bën diskriminime në baza etnike: i ka pranuar gazetarët serbë që me të drejtë interesoheshin për fatin e gazetarëve serbë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, ndërkaq që nuk i viziton grevistet!
I nderuari Kryeministër,
KMDLNj i kupton mundësitë e kufizuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përshpejtimin e identifikimit të mbetjeve mortore, ngase, sikundër dihet, procesi i identifikimit të mbetjeve mortore është kompetencë e ndërkombëtarëve, mirëpo nga Ju kërkon që të bëni atë që është në mundësitë e Juaja si Kryeministër, por edhe si njeri:
• T’i vizitoni grevistet dhe t’u tregoni sinqerisht se çfarë mund të bëni;
• Të ndikoni në përmirësimin e kushteve të grevisteve derisa ato të jenë në grevë;
• Ta forconi Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe drejtorin e saj dr. Arsim Gërxhaliu;
• Të ndani mjete financiare për përshpejtimin e identifikimit të mbetjeve mortore;
• Ta përzgjidhni një vend tjetër për kryerjen e procesit të identifikimit të mbetjeve mortore;
I nderuari Kryeministër,
KMDLNJ në tërësi i përkrah kërkesat e grevisteve, ndonëse është e bindur se teknikisht është e pamundur të përmbushen kërkesat e tyre në afatin e kërkuar. Gjithashtu, KMDLNj e kupton pozitën e Juaj dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo, KMDLNj kërkon nga Ju që të bëni krejt çka është e mundur të bëhet që të realizohen kërkesat e grevisteve dhe të ndërpritet greva e tyre.
(Autori është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së)
Please enter at least 3 characters.


