SHBA-të miratuan sot shitjen në Poloni të sistemeve antiraketore Patriot, për një shumë prej 10,5 miliardë dollarëve, një vendim që pritet të nxisë kritikat e Moskës.
Kontrata përfshin katër radarë dhe stacione të kontrollit, 16 pika orientimi për lëshimin e raketave dhe 208 raketa tokë-ajër, si dhe pajisjet ndihmëse të nevojshme për funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre, njoftoi sot Ministria amerikane e Punëve të Jashtme në një deklaratë.
Grupi amerikan Raytheon, i cili prodhon Patriot, prezantoi sot detajet e ofertës dhënë Polonisë në mesin e tetorit.
“Një Evropë e sigurt, e aftë për të parandaluar çdo kërcënim ajror, si dhe çdo formë tjetër agresioni nxit promovimin e paqes dhe të stabilitetit brenda NATO-s dhe në kontinentin evropian”, pohuan zyrtarë të diplomacisë amerikane në një deklaratë.