Telegrafi

Ambasada e Britanisë: Vendimet dhe rekrutimet për zyrtarë të lartë në Ndërmarrje Publike, të shtyhen deri në formim e qeverisë

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovës ka sugjeruar që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit të zyrtarëve në Ndërmarrje Publike, deri në formim të Qeverisë së re.

Përmes një postimi në Facebook, kjo Ambasadë thekson se proceset e rekrutimit të Bordeve dhe Kryeshefave Ekzekutiv duhet të jenë transparente.

Po ashtu, kjo Ambasadë ka rekomanduar që të gjitha këto vendime të shtyhen deri në zgjedhjen e institucioneve të reja.

“Ne e mirëpresim shtyrjen e procesit të intervistimit për Bordin e KEK-ut, por mbetemi të shqetësuar për proceset e rekrutimit të Bordeve të tjera të Ndërmarrjeve Publike dhe Kryeshefave Ekzekutiv të tyre. Ne besojmë se ato duhet të jenë transparente dhe të strukturuara mirë, dhe në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ne fuqimisht sugjerojmë që Qeveria në detyrë të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja”, thuhet në njoftimin e ambasadës. /Telegrafi/