Site icon Telegrafi

Aktorja Vesna Petrushevska i drejtohet Jeton Shaqirit: Ministër, a iu intereson sa fëmijë mbajnë thika në shkolla, derisa e kontrolloni telefonin?

Aktorja Vesna Petrushevska në debatin për dhunën e bashkëmoshatarëve të organizuar nga Universiteti FON, e pyeti ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, se a e dinte se sa fëmijë bartin thika në shkollë.

Ajo me ironi ia parashtroi këtë pyetje, derisa në atë moment ministri i Arsimit ishte duke kontrolluar telefonin e tij.

“Ministër, ju lexoni përralla. A e dini se sa fëmijë mbajnë thika në shkolla? Në shkollën time të aktrimit kam bërë një anketë me fëmijë nga 8 deri në 14 vjeç. Të 80 fëmijët më thanë se në klasën e tyre kishte thika. Është mirë që tani do të bëni sistem, do të keni komitete, ekipe, do të luftoni kundër dhunës së bashkëmoshatarëve. Por kjo nuk është nga dje. Unë mendoj se duhet të filloni me fëmijët që janë 12 vjeç dhe mbajnë thika në shkollë. Askush nuk shkruan askush nuk flet për këtë. Ju garantoj se ajo që ndodhi në Serbi do të ndodhë edhe këtu, unë jam në kontakt me fëmijët çdo ditë “, tha Petrushevska.

Aktorja, e indinjuar nga ajo që ndodhi në Serbi, i tha ministrit se ai është personi i parë që duhet të lëvizë gjërat në sistem.

“Është mirë kjo që FON po organizon, por ndoshta do të ndalet këtu. Në thelb ju jeni personi i parë që duhet t’i lëvizni gjërat dhe kjo është një përgjegjësi e madhe, por nuk e di nëse je i interesuar. Pasi jeni duke u marrur me telefonin tuaj”, i tha aktorja, ministrit.

Ndërsa ministri Shaqiri iu referua përgjegjësisë së secilit prej institucioneve dhe prindërve si institucioni më i rëndësishëm.

“Disa nga fjalët më pëlqyen, disa jo. Pavarësisht se çfarë thashë, le të jetë ajo përrallë siç e imagjinojmë të gjithë. Dua të flas edhe për institucionin e familjes dhe prindit. Të gjithë duhet të kontribuojmë për këtë, prandaj e përmend prindërimin. Çanta e shkollës është vendi ku duhen mbajtur librat dhe fletoret”.

“Prindi duhet të jetë përgjegjës dhe të kontrollojë se çfarë ka. Si fëmijë mbaja një top golfi me të cilin mendoja se do të luaja futboll, por prindërit e mi më qortuan sepse e dinin që mund të lëndoja dikë me të. Këtë e them sepse familja si institucion ka një përgjegjësi të madhe në të gjithë këtë proces”, theksoi ministri Shaqiri.

Ndryshe, pas ngjarjeve në Serbi, në RMV është hapur debat rreth edukimit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ndërsa në këtë drejtim është diskutuar edhe për ndalimin e aplikacionit “TikTok”./Telegrafi/

Exit mobile version