Nga: Ben Lawrence / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Ka qenë një javë e madhe për Shekspirin [William Shakespeare]: tri shfaqje kryesore kishin premierën në Londër dhe në Stratford-në-Ejvon. Mbrëmë, Nicholas Hytner vuri në skenë yllin e serialit Brixherton [Bridgerton], Jonathan Bailey, në Rikardi II [në teatrin “Bridge Theatre], ndërsa Rupert Goold prezantoi Hamletin me Luke Thallonin – shpesh i cilësuar si një nga yjet e ardhshëm të teatrit [në “Royal Shakespeare Theatre”]. Sonte [në “Theatre Royal Drury Lane”], trupa e regjisorit Jamie Lloyd përmbyll sezonin e saj në Uest-End me një realizim të Shumë zhurmë për asgjë, me plot aktorë të famshëm, ku Tom Hiddleston dhe Hayley Atwell interpretojnë si Benediku dhe Beatriça.
Deri më tani, kam parë vetëm Rikardin II, dhe më pëlqeu energjia, ritmi dhe qartësia e shfaqjes së Hytnerit, për të mos përmendur skenografinë e zgjuar të Bob Crowleyt e cila lejon shtratin e vdekjes së Rikardit dhe tryezën e kuzhinës të Dukës dhe Dukeshës së Jorkut që të dalin nga thellësia e skenës.
Lexo po ashtu:
– Katër nga Lirët e mëdhenj të gjallë flasin për rolin jetësor
– Mjeshtri i aktrimit, flet për jetën dhe anët e errëta të tij: Mbreti Lir nga perspektiva e Anthony Hopkinsit
– Ta mësosh apo të mos e mësosh Shekspirin?
Megjithatë, diçka, sipas mendimit tim, nuk shkonte në teatrin britanik. Deklamimi i vargjeve, i cili është thelbësor për këtë vepër – një nga të paktat të Shekspirit të shkruara tërësisht në vargje – shpesh linte shumë për të dëshiruar. Disa vargje keqkuptoheshin; theksimi vendosej në vendin e gabuar. Pentametri jambik – vargu poetik me pesë rrokje të theksuara dhe pesë të patheksuara, i përdorur në Rilindje (dhe më vonë) për të shpjeguar domethënien dhe për të sinjalizuar rëndësinë – shpesh sakatohej.
Interpretimi i vargjeve është thelbësor për çdo qasje ndaj Shekspirit, por zhgënjimi im është se kjo aftësi po vdes. E kuptoj plotësisht regjisorin e madh Peter Hall [një nga themeluesit e Trupës Mbretërore të Shekspirit – RSC], i cili dikur e quante veten një “fundamentalist jambik”. Thuhet se ai nuk ngrinte kokën nga teksti kur bënte regjinë e një vepre të Shekspirit, sepse aq shumë ishte i zhytur në gjuhën e tij. Këshillat e tij për ritmin e vargjeve, në librin e tij të vitit 2003, Këshilla e Shekspirit për aktorët [Shakespeare’s Advice to the Players] janë jashtëzakonisht udhëzuese: ai në thelb na thotë të ndjekim metrikën, t’i besojmë dorës udhëzuese të Shekspirit. Hall na tregon se si Bardi e kuptonte rëndësinë e ballafaqimit të ritmeve të rregullta dhe të çrregullta, të përdorimit të elizioneve kur ishte e nevojshme dhe të përdorimit të një modeli të parregullt për të zbuluar, për shembull, traumën psikologjike. Për shembull, Hall citon ritmet e çuditshme dhe teprinë e rrokjeve në disa nga monologët e Leontit te Një përrallë dimri, si një shenjë e pasionit të tij të sëmurë për Hermionën.
Lexo po ashtu:
– Jo, kompjuterët nuk mund të vërtetojnë se çfarë ka shkruar në të vërtetë Shekspiri
– Harrojini gënjeshtrat e Shekspirit: Makbethi ishte mbreti i mirë i cili e bashkoi Skocinë
– Zonja Makbeth: Gruaja më e keqkuptuar në dramaturgjinë botërore!?
Pentametri jambik, kur kuptohet siç duhet, tingëllon njëkohësisht poetik dhe thellësisht njerëzor. Nënvizon rëndësinë e asaj që thuhet. Një aktor i madh mund ta manipulojë atë, ta bëjë të tingëllojë natyrshëm dhe të zbulojë diçka të re. Simon Russell Beale – ashtu si Hall dhe bashkëthemeluesi i RSC-së, John Barton, një ish-student i anglishtes në Kembrixh – është një nga aktorët më të mëdhenj të Shekspirit të gjallë sot: dikush që mund të rrëzojë perceptimet tona të zakonshme për një vepër, thjesht duke rikonceptuar domethënien e saj përmes ndryshimit të ritmeve ose theksit të një monologu. (Ai e ka përshkruar aktrimin si “kritikë letrare tredimensionale”.) Kështu, Jagoja i tij në Teatrin Kombëtar [National Theatre] më 1997 solli një shtresë të re kuptimi, pasi vargjet shpesh shqiptoheshin me një shpejtësi marramendëse. Ajo që fillimisht dukej si një shenjë e një kompetence të thjeshtë, u bë gjithnjë e më rrëqethëse, ndërsa xhelozia e tij shkatërruese ndaj Othellos theksohej nga shpejtësia e deklamimit të tij.
Ashtu si Beale, edhe Judi Dench e kupton se vargu është shumë më i rëndësishëm se fjala e caktuar. Më kujtohet se si u magjepsa nga interpretimi i saj si Kontesha e Rusijon në Gjithçka është mirë kur mbaron mirë, një shfaqje për të cilën nuk kam ndonjë vlerësim të madh. Ishte teknika e saj poetike, e përsosur gjatë një gjysmë shekulli, ajo që i dha njerëzillëk dhe hijeshi një vepre thellësisht të çuditshme rreth konsensusit dhe pushtetit.
Dench di të prekë thellësisht publikun: kujtoni paraqitjen e saj në shpektaklin “The Graham Norton Show” në vitin 2023, kur recitoi përmendësh Sonetin 29. Edhe pse është e vërtetë që zëri i saj ka gjithmonë një ngrohtësi të veçantë, në të dyja rastet ishte aftësia e saj për të nënshtruar një varg që bëri që audienca të magjepsej.
Lexo po ashtu:
– Rikardi III: E vërteta pas dramës makabre të Shekspirit
– Pse Rikardi III i Shekspirit u bë kopuk kontrovers?
Çfarë ka shkuar keq? Shekspiri interpretohet më pak se dikur dhe aktorët nuk kanë më të njëjtën mundësi për të zhvilluar mjeshtërinë e tyre duke kaluar shumë vite në skenë. Një aktor shumë i mirë si Jonathan Bailey, i cili nuk ka ndjekur shkollë aktrimi, ka pasur shumë pak raste për të luajtur Shekspirin. Ndërkohë që shkollat dhe kolegjet e aktrimit vazhdojnë ta minimizojnë rëndësinë e Shekspirit, mund ta imagjinoni që kjo do të bëhet shpejt një normë. Mungesa e trajnimit vokal është gjithashtu shumë e dukshme: mjafton të shohësh sa shpesh përdoren mikrofonat në teatrot britanike sot. Paaftësia e aktorëve të rinj për të projektuar zërin e tyre lidhet drejtpërdrejt me paaftësinë për të deklamuar vargjet siç duhet.
Megjithatë, pyes veten nëse faktori më i madh në këtë rënie është snobizmi i përmbysur; ideja se recitimi i vargjeve është “elitist” dhe se, për ta bërë Shekspirin më të kuptueshëm dhe më “modern”, duhet ta thuash atë si prozë. Teatri “Globe” është larguar nga praktikat origjinale të interpretimit – dhe në disa shfaqje që kam parë, aktorët flasin ngadalë dhe qartë, duke krijuar një efekt që shpesh duket tepër i fjalëpërfjalshëm dhe pa emocion. Kam dëgjuar që regjisorët e sotëm ngurrojnë të udhëheqin aktorët varg pas vargu përmes Shekspirit, ndoshta nga frika se mos duken autoritarë ose, në disa raste, nga frika e perceptimit të kësaj qasjeje si një metodë elitiste ndaj klasikëve. Pyes veten nëse Hytner, aq i zgjuar dhe i aftë për një qasje rigoroze akademike, ishte hezitues nëse duhej t’u tregonte aktorëve të tij më të rinj se si ta interpretonin tekstin.
Disa vite më parë, Gregory Doran, atëherë drejtor artistik i RSC-së, krijoi një “palestër Shekspiri” në Stratford për të ndihmuar aktorët të forconin aftësitë e tyre tekstuale. Unë do të sugjeroja që të gjithë aktorët e rinj të talentuar kanë nevojë për një lloj “shkolle Shekspiri” për të përsosur mjeshtërinë e tyre – dhe duhet ta ndjekin që në fillim të formimit të tyre. /Telegrafi/