Policia e Kosovës është duke u zhvilluar një aksion policor në veri të vendit tek postat e palicencuara, përkatësisht në objektet ku ka operuar e ashtuquajtura “Postë e Serbisë”.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, ka vazhduar angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës.
Sipas një njoftimi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale.
Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se institucioni që udhëheq ai, i ka njoftuar “institucionet relevante të Kosovës se Posta e Serbisë është duke operuar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës”.
Megjithatë, ai nuk ka treguar numrin e zyrave të Postës së Serbisë që operojnë në Kosovë.
“Ne mbulojmë vetëm pjesën e domenit të shërbimeve postare, ofrimin e shërbimeve të postës, të letrave dhe pakove”, ka thënë ai.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.
Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera./Telegrafi/