Aktivistë të Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social sot kanë mbajtur një aksion para hyrjes së repartit të Logopedisë në ShSKUK, ndërsa kërkuan të shkarkohet Iljasa Fazliut, pas publikimit të një videoje ku dyshohet se ai abuzoi psiqikisht me një fëmijë.
Aktivistët nëpërmjet këtij aksioni e shpallën hapësirën e repartit të Logopedisë si rrezik për fëmijët përderisa abuzuesit nuk largohen.
Më tej në njoftimin për media thuhet se “ky aksion si duket nuk i pëlqeu Iljasa Fazliut i cili para hyrjes dhe përgjatë fjalosjes me aktivistët/et ai e hoqi thirrjen tonë nga hyrja e repartit. Ne rikujtojmë z. Fazliun se ShSKUK duhet të punojë për të mirën e pacienteve dhe jo për interesat e një abuzuesi”.
“Ankesa jonë drejtuar drejtorisë së ShSKUK-së nuk ka marrë përgjigje, sidoqoftë ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e Iljasa Fazliut dhe komisionit përgjegjës për rikthimin e tij në punë.
Ne ftojmë që logopedët dhe stafi mjekësor të bashkëngjiten në këtë thirrje tonën për të kërkuar drejtësi dhe hapësirë të sigurt për të gjithë fëmijët dhe për të ruajtur dinjitetin e punës së tyre i cili njolloset çdo ditë që lejohet të vazhdojë punën një abuzues në të njëjtën hapësirë me të”, thuhet në reagim.
Javë më parë Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), ka dorëzuar ankesë në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), pas rikthimit në punë të logopediT nga Gjilani, Iljasa Fazliu.
Ky i fundit dyshohet se ka abuzuar psiqikisht me një vajzë 3-vjeçare e cila vuan nga autizmi. Ai është rikthyer në punë nga ShSKUK-ja pak javë pas publikimit të videos. /Telegrafi/