Energoatom, agjencia shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, reagoi ndaj shkatërrimit të digës Nova Kahovka, duke thënë se “mund të ketë pasoja negative për centralin bërthamor të Zaporizhia”, duke shtuar se “situata është nën kontroll”.
“Natën e 6 qershorit 2023, agresorët rusë hodhën në erë digën e hidrocentralit Kahovskaya”, thuhet në deklaratën e Energoatom, e cila shpjegon se “ulja e shpejtë” e nivelit të ujit në rezervuar “përfaqëson një rrezik shtesë për centralin bërthamor i Zaporizhzhias i pushtuar përkohësisht”, transmeton Telegrafi.
Deri më tani, pishina ftohëse e centralit bërthamor është plot, thuhet në njoftimin për shtyp. Uji nga rezervuari që mban diga e shkatërruar thuhet se nevojitet për sistemet e sigurisë të centralit bërthamor të Zaporizhzhias, përndryshe më i madhi në Evropë.
Energoatom monitoron situatën dhe veprimet e punëtorëve në centralin bërthamor së bashku me organizata të tjera ndërkombëtare, në radhë të parë Agjencinë e Energjisë Atomike të OKB-së, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë që pas shkatërrimit të digës në Kherson, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thirrur takim të jashtëzakonshëm, kurse tashmë ka filluar procesi i evakuimit të më shumë se 20 mijë banorëve. /Telegrafi/