Agjencia e motit e OKB-së konfirmoi të martën një tregues prej 48.8 gradë Celsius (119.8 gradë Fahrenheit) në Sicili dy vjet më parë si temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Evropë.
Organizata Botërore Meteorologjike thotë se kjo temperaturë u regjistrua më 11 gusht 2021, në një kohë kur temperaturat po rriteshin në pjesën më të madhe të Evropës – duke ripërtërirë shqetësimet rreth ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Shifra e kaloi rekordin e mëparshëm evropian prej 48 C që u regjistrua në qytetet greke të Athinës dhe Elefsinës në korrik të vitit 1977.
Rekordi i Sicilisë nga viti 2021 u bazua në vëzhgimet e motit dhe u publikua për herë të parë në Revistën Ndërkombëtare të Klimatologjisë.
Randall Cerveny, i cili raporton mbi klimën dhe ekstremet e motit për Organizatën Botërore Meteorologjike, thotë se konfirmimi pasoi një hetim të gjatë që kërkonte “kujdes të përpiktë” nga agjencia.
“Ky hetim tregon tendencën alarmante për vazhdimin e rritjes së temperaturave të larta që do të vendosen në rajone të veçanta të botës”, tha Cerveny.
Vlerësime të tilla janë botuar në Arkivin e Motit dhe Ekstremeve Klimatike, i cili shënon rekorde për ekstremet si temperaturat e larta dhe të ulëta në botë, “topat” më të rëndë të breshrit, “shpërthimi” maksimal i erës, rrufetë dhe vdekjet e lidhura me motin. /Telegrafi/