Manuel Adebayor ishte vetëm gjysmë sezoni te skuadra e Real Madridit , por la një shije të mirë në mesin e tifozëve, të cilët e thërrisnin Manolito.
Sulmuesi togolez, i cili tashmë vesh fanellën e skuadrës turke të Basaksehirit, ka folur rreth periudhës sa ishte anëtar i skuadrës madrilene.
Futbollisti ende edhe sot nuk e kupton se pse nuk ka mbetur më tepër se gjashtë muaj te Los Blancos.
“Është diçka që e pyes veten ndonjëherë. E vërteta është se nuk e di. Më ndodh edhe këtu, në Turqi. Ndoshta është mënyra se si jetoj dhe buzëqesh”.
“Është mënyra ime e natyrshme. Përveçse jemi lojtar, jemi edhe qenie njerëzore. Nëse jeni të lumtur, ju mund ta zgjeroni atë lumturi. Dhe kjo më ndodh mua, dukem i lumtur”, pohoi Adebayor.
Ky i fundit përgjatë kohës sa ishte lojtar i Realit, ka pasur 22 paraqitje në të gjitha garat dhe ka shënuar tetë gola.
Ndryshe, 34-vjeçari në të kaluarën ka luajtur për skuadrat e mëdha angleze, si Arsenal, Manchester City dhe Tottenham Hotspur. /Telegrafi/