Site icon Telegrafi

Abazoviq pas takimit me Escobarin: FBI-ja dhe DEA na ndihmuan të luftojmë kartelin e drogës që vepronte brenda institucioneve tona

Kryeministri në mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka njoftuar të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për veprimet e fundit të institucioneve malazeze në luftën kundër krimit.

Ai është takuar gjatë ditës së sotme në Departamentin amerikan të Shtetit me Escobarin, raporton rtcg.

“Aksioni i madh ishte për shtypjen e kartelit të drogës që vepronte brenda institucioneve të sistemit. Ai kartel droge gjithashtu na mbajti në politikë për një dekadë. Por, Mali i Zi po tregon qëndrueshmëri dhe është i gatshëm të përballet me të gjitha llojet e krimeve dhe të gjithë njerëzit që bëjnë aktivitete të paligjshme”, tha ai në një deklaratë për mediat pas takimit me Escobarin.

Ai thotë se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e agjencive si FBI, DEA, Europol e të tjera.

“Mendoj se me këtë veprim e kemi treguar edhe një herë besueshmërinë tonë”, tha Abazoviq.

Në një deklaratë për media pas takimit, kryeministri malazez tha se e ka njoftuar zyrtarin amerikan për zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën, në të cilat, siç thotë ai, fitoi demokracia në çdo kuptim.

Pas takimit me Escobarin, siç është paralajmëruar, do të ketë takime me kongresmenë dhe senatorë të shumtë në Capitol Hill.

Ndryshe, takimi erdhi pasi që Departamenti amerikan i Shtetit u ka kërkuar politikanëve të shtetit malazez të ndjekin rrugëtimin evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version