Site icon Telegrafi

73-vjetori i Forcave Ajrore të Shqipërisë, Peleshi: Investimet e fundit, dëshmi e angazhimit për të garantuar sigurinë kombëtare

Në 73-vjetorin e Forcës Ajrore të Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që e krijuan dhe e ngritën lart këtë forcë dhe ata që vazhdojnë kontributin në ruajtjen e sovranitetit të vendit tonë.

Ministri theksoi se riaktivizimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, ardhja e dy helikopterëve Black Hawk, si dhe pajisja me dronët luftarakë Bayraktar, janë investime historike për Forcat e Armatosura dhe hapa të rëndësishëm për modernizimin e Forcës Ajrore.

“Këto zhvillime jo vetëm që rrisin aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërbejnë edhe si dëshmi e angazhimit të vendit tonë për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes”, vlerësoi ministri.

Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht më 24 prill 1951. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore “Yak-18” dhe fillimisht u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana. /Telegrafi/

Exit mobile version