Site icon Telegrafi

Zyrtari i LDK-së Hazir Borovci, udhëton për në Hagë – thotë se do të dëshmojë për të drejtën e të vërtetën e UÇK-së

Kryetari i Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, Hazir Borovci, ka udhëtuar për në Hagë për të dëshmuar në procesin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Këtë e ka bërë të ditur, Borovci përmes një shkrimi në Facebook.

Ai tha se ka udhëtuar në Hagë për të dëshmuar për të drejtën e të vërtetën, për luftën çlirimtare të UÇK-së.

“Përshëndetje miq, Sot udhëtova në Hagë për të dëshmuar për të drejtën e të vërtetën, për luftën çlirimtare të UÇK-së si faqja më e lavdishme e historisë sonë kombëtare!”, ka shkruar ai.

Borovci është kryetar i Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, e njohur edhe me emrin “Dega e Presidentit Rugova”.

Ndryshe, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./Telegrafi/

Exit mobile version