Telegrafi

Zyrtare: “Perandori” Fatih Terim rikthehet në zejen e trajnerit, nënshkruan me Panathinaikos

Fatih Terim është emëruar zyrtarisht  trajneri i ri i Panathinaikos. Klubi grek shkarkoi Ivan Jovanoviç pas dy vite e gjysmë në krye të ekipit.

‘Të gjelbrit’ morën vendimin për t’u ndarë me trajnerin serb vetëm një ditë pas Krishtlindjeve, për t’i hapur rrugë strategut turk.

Te Panathinaikos janë të bindur se me Terim në stol ekipi do jetë më pranë titullit.

Trajneri 70-vjeçar ka pasur një karrierë të gjatë që e ka parë atë të arrijë rezultate fantastike me Galatasaray dhe Turqi.

Gjatë katër qëndrimeve të tij si trajner i Galatasarayt, ai fitoi tetë tituj ligë, tre kupa të Turqisë dhe më së shumti Kupën UEFA në 1999-2000 (tani e njohur si Liga e Evropës).

Krahas kësaj, Terim arriti edhe në gjysmëfinale me Turqinë në Euro 2008. /Telegrafi/