Kampioni aktual i Kosovës në basketboll, KB Trepça, po vazhdon të jetë një ndër ekipet më aktive sa i përket afatit kalimtar të janarit.
Ekipi nga Mitrovica deri më tani ka bërë disa përforcime mjaft cilësore para fillimit të sezonit të ri në Prince Caffe Superligën e Kosovës.
Sot (e diel) ata kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje për transferimin e qendrës me prejardhje nga Senegali, Mouhamed Barro.
Barro i gjatë 206 cm do të jetë një ndihmesë shumë e madhe në trapez për mitrovicasit për shkak të përvojës dhe kualitetit të tij.
29-vjeçari sipas njoftimit nga klubi në dy sezonet e fundit është paraqitur në Rumani tek ekipi Sibiu, ndërsa karrierë ka bërë edhe në Spanjë./Telegrafi/