Festim Alidema është bërë me skuadër të re ashtu siç kishte paralajmëruar klubi llapjan.
Sulmuesi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin kroat të Slaven Belupos, e cila bën pjesë në elitën e futbollit të Kroacisë.
Ai në edicionin e kaluar është paraqitur në 30 ndeshje të Superligës së Kosovës në fuboll, ku ka realizuar 12 gola dhe në gjashtë raste ka asistuar te bashkëlojtarët.
Pas arritjes së marrëveshjes, 22-vjeçari ka pohuar se ndihet i lumtur dhe se do të mundohet ta shpërblej besimin e kroatëve.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Slaven Belupos. Unë do të bëj çmos për të justifikuar besimin e njerëzve që më sollën në klub dhe të gjithë ne së bashku do të arrijmë qëllimet e vëna para nesh”.
“Kam ardhur për të shënuar gola dhe për ta ndihmuar ekipin të fitojë tituj”, tha Alidema pas nënshkrimit të kontratës.
Ndryshe, Slaveni sezonin e kaluar ka përfunduar në pozitën e shtatë të renditjes tabelore me 37 pikë. /Telegrafi/