Basketbollisti mitrovicas, Drilon Hajrizi është lojtari më i ri i klubit prizrenas, Bashkimi.
Bashkimi ka pretendime të mëdha këtë sezon për të mbrojtur titullin kampion në Superligën e Kosovës dhe për të shkuar larg në Ligën Ballkanike.
Kështu, drejtuesit e klubit prizrenas janë vënë në treg për përforcimin e skuadrës së tyre në këtë afat kalimtar.
Arpagjik’t kanë arritur tashmë të transferojnë një basketbollist të njohur nga Kosova.
Bëhet fjalë për basketbollistin mitrovicas, Drilon Hajrizi, i cili ka nënshkruar sot (e hënë) me Bashkimin.
Është vet klubi prizrenas që ka njoftuar me anë të profilit të tyre zyrtar transferimin e Hajrizit.
“Drilon Hajrizi nënshkruan me klubin e qytetit. Nga sot Driloni do të jetë pjesë e KB Bashkimit”, thuhet në njoftimin e Bashkimit.
Ndryshe, Hajrizi ka bërë karrierë edhe në skuadrat tjera të mëdha nga Kosova si Trepça, Prishtina dhe Peja, ndërsa së fundmi luajti edhe në Japoni. /Telegrafi/