Site icon Telegrafi

Zjarri përhapet në sipërfaqe të mëdha në veri

Një zjarr ka përfshirë sot pasdite sipërfaqe me hamullore, barishte dhe shkurre në lagjen “Lugina e diellit” në komunën e Zveçanit.

Në pamjet e siguruara shihen vatra zjarri dhe shtëllunga tymi, të cilat po rrezikojnë edhe shtyllat elektrike.

Një qytetar ka thënë për KosovaPress, se zjarri ka filluar të shpërndahet edhe në drejtim të fshatit Vidimriq.

Nuk dihet ende nëse ka të lënduar nga ky zjarr.

Mësohet se gjatë ditës zjarri ka shpërthyer edhe në malet e fshatit Cërnushë, si pasojë e temperaturave të larta të cilat po mbretërojnë në vend.

KosovaPress-i ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e policisë për rajonin e veriut, por pa sukses, ndërsa nga Qendra e emergjencës kanë bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve ndodhen në terren dhe janë në organizim të asistencës për dërgimin e ekipeve tjera në lokacionet e nevojshme.

Sipas zyrtarit të kësaj qendre gjendja në zonat përreth Mitrovicës është nën kontroll.

Edhe vendi i njohur si “Kodra e Cërnushës” në komunën e Mitrovicës, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.

Exit mobile version