Në orët e hershme të mëngjesit, objekti i ETC-së në Klinë është përfshirë nga zjarri, ndërkaq përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Rreshteri nga stacioni policor i Klinës, njësia e hetimeve, Xhevdet Kryeziu deklaroi se rasti në objektin e ETC-së, i cili u dogj sot, u cilësua si zjarr aksidental.
Ai tha për KosovaPress se zjarri kishte përmasa të mëdha dhe se dëmet janë të konsiderueshme.
Kryeziu u shpreh se janë në fazën fillestare të hetimeve dhe se nuk kanë ndonjë dyshim se si u shkaktua zjarri.
“Sot në mëngjes rreth orës 6:30, stacioni policor në Klinë ka marrë një informatë për një zjarr, i cili është në objektin e ETC-së, në rrugën ‘Sadik Rama’ në Klinë. Njësitë relevante të Policisë dhe zjarrfikëset kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku zjarri ka pasur përmasa të mëdha dhe është kërkuar ndihmë edhe nga njësitë tjera të zjarrfikësve si Peja, Istogu dhe Gjakova, sidomos ka marrë pjesë edhe HidroDrini me një kamion. Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e hetimeve rajonale të Pejës, eksperti i zjarreve si dhe zyrtarë të lartë nga Policia e Kosovës në Pejë. Nga ky zjarr nuk ka të lënduar…, edhe dëmet janë të konsiderueshme. Për momentin janë në fazën fillestare të hetimeve, nuk kemi informacion për ndonjë dyshim. Rasti është cilësuar si zjarr aksidental”, tha rreshteri Kryeziu.
Ndërsa, zëvendësshefi në shërbimin e zjarrfikësve të Klinës, Izet Haxhaj deklaroi se me të marrë informacionin për zjarrin në objektin e ETC-së dolën në terren, por që sipas tij, shkaku i rrezikut të madh për përhapjen e zjarrit, u detyruan të thërrasin për ndihmë edhe ekipet e zjarrfikësve nga tri komuna të tjera.
Sipas tij, rreziku për përhapjen e zjarrit ishte i madh për shkak të afërsisë së objektit të ETC-së me pompën e derivateve dhe me një fabrikë.
Haxhaj tha se me të marrë informacionin për zjarrin janë mobilizuar me të gjitha automjetet, por duke parë përmasat e zjarrit, ai potencoi se kërkuan ndihmë nga ekipet e zjarrfikësve nga Peja, Istogu dhe Gjakova.
“Sipas informacioneve që kemi marrë nga ndërrimi që ka qenë prezent në orarin e punës, informacioni është marrë diku rreth orës 6:30. Posa ka mbërri ekipi në vendngjarje, menjëherë na ka njoftu për rastin dhe menjëherë të gjithë zjarrfikëset e Klinës, këtu më afër që kanë qenë, jemi mobilizuar më të gjitha automjetet që i kemi pasur në dispozicion. Pastaj, duke e parë që zjarri ishte bukur me përmasa të mëdha, i kemi njoftuar menjëherë dhe shërbimet e tjera të zjarrfikësve Peja, Istogu dhe Gjakova, të cilët i falënderoj, të cilët na kanë dalë në ndihmë me të gjitha, pajisjet e tyre që kanë pasur”, u shpreh ai.
Haxhaj u shpreh se e kanë pasur të vështirë ta mbajnë nën kontroll zjarrin, sepse siç tha, kur ekipi arriti në vendin e ngjarjes, zjarri kishte marrë përmasa të mëdha.
Tutje, Haxhaj tregoi për lëndimin që ka marrë një zjarrfikës, derisa ishte duke munduar ta shuante zjarrin.
“Ka qenë e vështirë shuarja e zjarrit për shkak që, ka qenë rreziku bukur i madh edhe për shkak të pompës së derivateve, në atë pjesën përmbrapa ka qenë edhe një fabrikë “Mirusha” që e quajmë na, kështu që ka qenë bukur teren dhe për të futur në kontroll për shkak të rrezikut të madh edhe të pompës që ka qenë afër. Ne jemi munduar me të gjitha pajisjet që kemi pasur, por zjarri pak ka qenë i përmasave të mëdha, kur kemi ardhur këtu dhe kështu që, ka qenë bukur rrezik me e fut nën kontroll. Gjatë shuarjes së këtij zjarri vlen të theksohet se një zjarrfikës ka marrë lëndime të lehta për shkak të oksigjenit, por gjendja e tij shëndetësore është e mirë.”, shtoi Haxhaj.
Edhe, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, pas djegies së objektit të ETC-së, tha se e rëndësishme është që nuk ka persona të lënduar.
Po ashtu, një zjarrfikës u lëndua gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në objektin e ETC-së në Klinë, i cili në orët e hershme të mëngjesit të sotëm u përfshi nga zjarri. Zjarrfikësi i lënduar mori ndihmë mjekësore. Si pasojë e zjarrit, nuk u raportua për ndonjë punëtor të lënduar. /Kp/Telegrafi/