Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar vendin e ngjarjes pas shpërthimit të një zjarri në një objekt banesor në lagjen Emshir.
Në një deklaratë, Rama shprehu solidaritetin e tij me banorët e prekur dhe theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë të ekipeve të emergjencës.
“Bashkëndjej me banorët e lagjes ‘Emshir’ pas zjarrit që përfshiu disa prej banesave. Ndihem jashtëzakonisht i lehtësuar që nuk pati viktima dhe shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj ekipeve të zjarrfikësve, policisë dhe ekipeve mjekësore, të cilët me reagimin e tyre të shpejtë dhe profesionalizmin e lartë shpëtuan jetët e qytetarëve,” tha Rama.
Ai theksoi se, së bashku me drejtorin për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, kanë qenë në vendin e ngjarjes për të vlerësuar situatën dhe për të adresuar nevojat e banorëve të prekur nga zjarri.
“Profesionalizmi dhe humanizmi i ekipeve të angazhuara mbeten një shembull për të gjithë ne,” shtoi ai, duke falënderuar edhe zjarrfikësit nga Lipjani, Fushë Kosova dhe Drenasi për solidaritetin dhe përkushtimin e treguar.
Rama garantoi se komuna do të qëndrojë pranë qytetarëve të prekur dhe do të sigurojë ndihmën e nevojshme për të gjithë ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi./Telegrafi/