Premiera e filmit “Unstoppable” të Jennifer Lopez, prodhuar nga ish-bashkëshorti i saj Ben Affleck, u anulua të martën për shkak të zjarrit masiv që shpërtheu në Los Angeles.
Premiera e filmit ishte menduar të bëhej në Teatrin DGA por papritur u anulua në minutën e fundit.
“Për shkak të shqetësimeve të sotme të sigurisë në lidhje me rritjen e aktivitetit të erës dhe zjarreve në Los Angeles, ne po anulojmë premierën”, tha një përfaqësues i Amazon MGM Studios për People.
“Ndërsa ne kemi pritur me padurim të festojmë këtë film të mrekullueshëm dhe frymëzues me ju, siguria është prioriteti ynë numër një. Faleminderit për mirëkuptimin dhe ju lutemi qëndroni të sigurt”, përfundoi ai.
“Unstoppable” është një dramë e bazuar në një histori të vërtetë që Lopez prodhoi me ish-burrin e saj Affleck dhe mikun e tij më të mirë Matt Damon.
Filmi bazohet në autobiografinë me të njëjtin emër dhe ndjek historinë e Anthony Robles, i cili lindi me një këmbë dhe në vitin 2011 fitoi një kampionat kombëtar në mundje.
Lopez luan rolin e nënës së Robles në film. /Telegrafi/