Site icon Telegrafi

Gjarpinjtë rrezikojnë qytetarët në Ferizaj

Zjarrfikësit në Ferizaj përveç intervenimeve të zakonshme për fikjen e zjarreve nëpër pyje e fusha, ata së fundi kanë nisur të marrin edhe telefona nga qytetarët për t’i dalë në ndihmë nga gjarpinjtë të cilët po futen nëpër shtëpi të banimit.

Sipas zyrtarëve në qendrën e zjarrfikësve në Ferizaj, gjarpërinjtë janë bërë të rrezikshëm dhe shpeshherë ata po futen brenda.

Në dy rastet e fundit në fshatin Bibaj dhe në Nerodime, gjarpinjtë kanë rrezikuar dy familje e veçanërisht fëmijët e tyre.

Jeton Avdiu zv. Komandant në shërbimin e zjarrfikësve në Ferizaj, ka thënë për Telegrafin se për përveç intervenimeve të shpeshta për fikjen e zjarreve, tashmë po pranojnë telefonata të vazhdueshme edhe nga qytetarët për largimin e gjarpinjve nga shtëpitë e banimit.

“Së fundi kemi intervenuar në dy raste në Bibaj dhe në rrugën e Nerodimes ku gjarpinjtë ishin futur brenda në shtëpi dhe kanë rrezikuar familjarët. Në një rast gjarpinjtë ishin futur në banjë dhe kanë trishtuar anëtarët e familjes. Rastet të tilla nuk kemi pasur në të kaluarën. Pastaj kemi edhe raste të shpeshta kur gjarpinjtë i largojmë edhe nëpër oborre dhe nga muret e jashtme të shtëpive”, ka thënë Avdiu.

Avdiu bën me dije se numri i zjarrfikësve në këtë qendër është mjaftë i vogël dhe kjo po paraqet telashe në menaxhim për të intervenuar në raste.

“Të gjithë e dinë se zjarrfikësit janë në numër të vogël, por megjithatë po i dalim në ndihmë qytetarëve. E gjithë shërbimi i zjarrfikësve në Ferizaj i ka 26 zjarrfikës duke filluar nga Komandanti, zv.Komandanti, inspektorit të zjarreve, vozitësit e të tjerë. Në rastet kur gjarpinjtë futen brenda shtëpive të tyre, ata rrezikohen mjaftë shumë e sidomos fëmijët e tyre, prandaj ne apelojmë që mos i leni dyert e hyrjes të hapura sepse gjarpinjtë mund të futen pa telashe brenda shtëpisë”, ka shtuar ai.

Avdiu ka sqaruar se vetëm gjatë muajit gusht kanë intervenuar në 200 raste për fikjen e zjarrve në pyje e fusha dhe në disa raste për largim të gjarpinjve nga shtëpitë e banimit. Sipas tij, gjarpinjtë gjithmonë pas largimit nga shtëpitë e banimit janë dërguar në pyje dhe janë lënë në liri.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me pronarin e një shtëpie ku zjarrfikësit ditë më parë kanë larguar gjarpinjtë, por ai mbrapa kamerës ka thënë se ishte shumë e trishtueshme të futen gjarpinjtë brenda.

“Gjatë gjithë ditës e kemi lënë derën e hapur të hyrjes së shtëpisë sikur zakonisht dhe në mbrëmje kemi qëndruar shumë gjatë pa fjetur. Ndërkohë, kah mëngjesi e kemi parë se brenda në shtëpi janë futur gjarpinjtë. Jemi ndier shumë të rrezikuar e sidomos fëmijët, por falë intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve ata i larguan. Por, tash ende gjumin nuk e kemi të stabilizuar shkaku i asaj se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ky familjar në rrethinën e Ferizajt./Telegrafi/

Exit mobile version