Edhe pse nuk jemi në stinën e verës, gjatë ditës së shtunë disa prej pyjeve në Kosovë ishin kapluar nga flakët.
Policia e Kosovës kishte njoftuar për raste të përfshirjes së disa prej pyjeve nga zjarri, ku për të njëjtat kishin intervenuar zjarrfikësit dhe vetë banorët për t’i vënë nën kontroll flakët.
Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Bekim Hoxha ka konfirmuar për Telegrafin se këto zjarre dyshohet se shkaktohen nga dora e njeriut.
“Në këto kohë, faktori njeri është ai që po i shkakton këto zjarre nuk mundemi të presim që po ndodhin vetë ato”, deklaroi ai.
Ai ka shtuar se pyjet po përfshihen nga zjarri, për arsye se njerëzit po i djegin livadhet dhe pastaj zjarri po shpërndahet.
“Kjo po ndodh sepse njerëzit po i djegin disa livadhe apo ara dhe pastaj po shpërndahet zjarri”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, sipas Policisë së Kosovës, 50 hektarë pyje në Novobërdë ishin përfshirë nga flakët, një pjesë e pyjeve në Ranilluk por edhe në Rahovec gjithashtu.
“Raportohet se në rrethana të pa njohura është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e pyllit prej 10 hektarësh pronë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe eksperti i zjarrit dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.
“Gjithashtu, raportohet se janë përfshi nga zjarri rreth 50 hektar pyll pronë private dhe shtetërore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa, ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se është përfshirë nga zjarri një pjesë e pyjeve, të cilin së bashku me qytetarë të tjerë e kanë shuar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, përfundon raporti. /Telegrafi/