Site icon Telegrafi

Zjarr i madh në Sopijë të Suharekës, përfshihet edhe një trafo e rrymës

Një trafo e rrymës është përfshirë nga zjarri në fshatin Sopijë të Suharekës, duke shkaktuar panik dhe dëme në zonën përreth.

Sipas njoftimit nga Organizata Vullnetare e Zjarrfikësit dhe Shpëtimit, incidenti ka ndodhur rreth orës 16:45.

Zjarrfikësit janë mobilizuar menjëherë pas marrjes së informacionit dhe kanë ndërhyrë për të shuar flakët. Për shkak të intensitetit të zjarrit, flakët kanë arritur të përhapen në fushat përreth, duke rrezikuar dëmtime të mëtejshme.

Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe efikase të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe është shmangur përhapja e mëtejshme. Organizata Vullnetare e Zjarrfikësit dhe Shpëtimit ka bërë të ditur se nuk ka pasur të lënduar në këtë incident, por dëmet materiale ende po vlerësohen.

Policia e cila poashtu ka dalë në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet bashkë me Prokurorinë për të zbuluar shkaqet e zjarrit, ndërsa banorët e zonës janë këshilluar të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo incident të dyshimtë që mund të shkaktojë zjarre të ngjashme në të ardhmen.

Ndërkohë, është bërë apel për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë periudhës së verës, kur rreziku i zjarreve është më i lartë për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës./Telegrafi/

Exit mobile version