Edon Zhegrova ishte i pandalshëm për mbrojtjen e Qipros dhe talenti i madh ia doli të shënojë golin e dytë në këtë ndeshje për Kosovës.
Goli erdhi pas një aksioni personal, ku nxori në pah cilësitë e tij teknike, duke trullosur mbrojtjen qipriote.
Pas ndeshjes Zhegrova nuk e fshehu kënaqësinë për golin, por shtoi se e rëndësishme është që skuadra e nisi me fitore.
“Ishte shumë me rëndësi që ta nisnim me fitore, pasi ishte ndeshja e parë e edicionit. Më pas sigurisht që gëzohem edhe më shumë kur ndihmoj skuadrën me gola apo me asiste”, ka thënë Zhegrova.
Ajo që bënte përshtypje, ishte që Zhegrova zbriti në fushë me numrin 9 në shpinë, teksa arsyen e kësaj zgjedhjeje e sqaroi për SuperSport në përfundim të takimit.
“Kam zgjedhur numrin 9 sot për shkak të legjendës Fadil Vokrri dhe fitoren ia dedikoj atij”, ka thënë sulmuesi i talentuar.
Kosova tani ka dy ndeshje në shtëpi ndaj Greqisë dhe Irlandës së Veriut. /Telegrafi/