Qindra elefantë që ngordhën në mënyrë misterioze në Okavango Delta të Botsvanës iu nënshtruan helmimit nga cianobakteret, zbuloi departamenti i botës së egër të hënën.
Vendi i Afrikës Jugore pa dalje në det mburret me popullsinë më të madhe të elefantëve në botë, e vlerësuar me rreth 130,000, shkruan ScienceAlert.
Më shumë se 300 nga elefantët kanë ngordhur në mënyrë misterioze që nga marsi, me dhëmbët e tyre të paprekur dhe kjo ka përjashtuar hipotezën se ata ishin vrarë nga gjuetarët pa leje, transmeton Telegrafi.
“Ngordhjet u shkaktuan nga helmimi për shkak të cianobaktereve që po rriteshin në vendin se ku pinin ujë”, u tha gazetarëve drejtori veterinar i Departamentit të Kafshëve të Egra dhe Parqeve Kombëtare, Mmadi Reuben.
Reuben tha se ngordhjet kishin “ndaluar në fund të qershorit në vitin 2020, që përkon me tharjen e puseve”.
Sipas autoriteteve të botës së egër, rreth 330 kafshë kanë ngordhur dhe testet e gjakut ishin në përputhje me gjetjen se një specie cianobakteresh që prodhon neurotoksina ishte shkaku.
Testet u kryen në laboratorë të specializuar në Afrikën e Jugut, Kanada, Zimbabve dhe Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët kanë përjashtuar antraksin ose përfshirjen njerëzore të tilla si gjuetia pa leje, sipas Cyril Taolo, zëvendës drejtor i Departamentit të Kafshëve të Egra dhe Parqeve Kombëtare. /Telegrafi/