Pasditen e së hënës një fëmijë 4-vjeçar i cili është raportuar i zhdukur nga fshati Akrashticë e Vushtrrisë, ende nuk është gjetur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kërkimet për gjetjen e 4 vjeçarit pritet të rifillojnë sot.
“Ende nuk ka ndonjë risi, kërkimet pritet të rifillojnë sot”, ka thënë Zahiti.
Ndërsa, në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ankuesja femër kosovare ka informuar se djali i saj katër vjeçar dyshohet të këtë rënë në kanalin me ujë të Ibër-Lepencit.
“Fsh. Akrashticë, Vushtrri 22.05.2023 – 18:30. Ankuesja femër kosovare ka informuar se djali i saj katër vjeçar dyshohet të këtë rënë në kanalin me ujë të Ibër-Lepencit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse të kërkim shpëtimit. Njësitë përkatëse janë duke u marrë me rastin ende”, thuhet në raport. /Telegrafi/