Site icon Telegrafi

Zhbllokimi i të hyrave vetanake të komunave futet në rend dite në seancën e Kuvendit

Rendi i ditës i seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës është plotësuar edhe me një pikë, atë të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. Ky projektligj mundëson bartjen e të hyrave vetanake të komunave.

Ky mocion u propozua nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe si i tillë mori mbështetjen e 72 deputetëve ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Kusari-Lila kërkoi që kjo pikë të vendoset e 10-a në rend të ditës së seancës së sotme plenare.

“Propozoj plotësimin e rendit të ditës të seancës plenare të datës 8 qershor 2023 me pikën si në vijimë: shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023. I ndryshuar dhe I plotësuar me ligjin pikë kjo të jetë e 10-ta me radhë në rendin e kësaj seance.

Arsyetimi që përmes projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e e ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 do të mundësohet bartja e të hyrave vetanake të komunave të cilat kanë mbetur pa u bartur nga viti 2022 dhe gjithashtu do të bëhet bartja e një programi nga ministria e Mbrojtjes tek ministria e Punëve të Brendshme”, tha ajo.

Ndërsa kryetari Glauk Konjufca, me rastin e pensionit të sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi e falënderoi atë për kontributin e tij 16 vjeçar./kp/

Exit mobile version