Gjatë ditës së djeshme kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë lajmëruar dy raste.
Në shkollën “Musa Hoti” në Frashër të Mitrovicës është raportuar se një qytetar, dje pas orës 15:00, gjatë votimit ka nënshkruar gabimisht tek një person tjetër në fletvotim.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin menaxheri i kësaj qendreje votimi, Niman Rushiti, shkruan Telegrafi.
“Një person ka nënshkruar gabimisht tek një person tjetër. Kemi biseduar edhe me prokurorin”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë rast, prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha ka thënë se ky rast është konstatuar se është një gabim dhe është rregulluar me komision.
“Ky rast është konstatuar si gabim, është rregulluar me komision”, ka thënë Rexha.
Ndërsa, në shkollën “Fazli Grajçevci” në Shipol të Mitrovicës, një person dyshohet se ka poseduar fletushka të fotokopjuara dhe të zbrazëta, e i cili ka udhëzuar qytetarët se si të votojnë.
Rexha ka thënë se ky rast është nën hetime.
“Rasti është nën hetime”, ka thënë shkurtimisht ai. /Telegrafi/