Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar lidhur me zjarrin që ka përfshirë mëngjesin e kësaj të marte dy zyra në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë, ka thënë se “zjarri ka kapluar QKUK-në, kurse heshtja ministrat e paaftë të qeverisë së mashtrimit”.
“Para pak kohësh zjarri përfshiu Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku pati edhe një viktimë e brenda pak kohëve, tash e disa herë digjet Instituti i Mjekësisë Ligjore. Tmerr! Përgjegjësi. Dorëheqje”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se nuk ka persona të lënduar dhe se ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Kjo është hera e dytë brenda vitit që IML-ja përfshihet nga flakët. /Telegrafi/