Please enter at least 3 characters.

Zemaj: S’po kërkojmë braktisjen e institucioneve, Kurti le t’ia bartë kompetencat zëvendëskryeministrit

2021/09/Armend-Zemaj-interviste-foto-Ridvan-Slivova-15-e1658585581839.jpg

Deputeti i zgjedhur nga LDK, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj akuzave të deputetëve të VV-së se opozita po tenton të bllokojë funksionimin e institucioneve, duke thënë se është “e pamoralshme dhe qesharake” të thuhet se kërkohet braktisja e tyre.

“T’i thuash dikujt që po kërkon braktisjen e institucioneve për shkak se po ta kërkon dorëheqjen ty si individ, është e pabazë. Nuk janë 48 deputetë të VV-së që janë ministra e kryeministër. Kurti ka pasur mundësi të ia bartë kompetencat zëvendëskryeministrit, që është po ashtu në detyrë, dhe askush nuk do ta kishte atakuar,” ka deklaruar Zemaj.

Ai ka theksuar se njëjtë do të duhej të vepronin edhe ministrat, duke ia kaluar kompetencat zëvendësministrave, në mënyrë që të shmangeshin përplasjet kushtetuese rreth papajtueshmërisë së funksioneve.

Zemaj ka deklaruar se problemi i opozitës nuk është me Albin Kurtin si person, por me përpjekjen e tij për të mbajtur njëkohësisht dy funksione: atë të kryeministrit dhe deputetit.

“Nuk na pengon Kurti si individ, por Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe njëkohësisht deputet i zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka deklaruar Zemaj në emisionin Debat Plus.

Ai ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës ndalon mbajtjen e dy funksioneve të papajtueshme dhe kërkon ndarjen e qartë të pushteteve – diçka që sipas tij Kurti nuk po e respekton.

“Kurti më duket se e ka problem funksionimin normal të ndarjes së pushteteve. Nuk është shembulli i vetëm, por është shembulli më i theksuar. Tendenca për të mbajtur mandatin ekzekutiv përkundër fitimit të mandatit të deputetit është e paarsyeshme, e panevojshme dhe përbën shkelje të pastër kushtetuese”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka shtuar se kjo situatë nuk duhet të tolerohet dhe se çdo politikan që merr mandat duhet të zgjedhë qartë mes pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën e Republikës.

Zemaj gjithashtu ka thënë se Albin Kurti i ka humbur dhjetë deputet në zgjedhje dhe tani nuk e ka shumicën dhe as nuk ka koalicion e as marrëveshje me ndonjërën nga partitë e mëdha shqiptare.

Ai tutje ka thënë se ai e ka të drejtën të bëjë marrëveshje me kë të do por se aktualisht ai nuk e ka shumicën.

“Kjo që po e bënë Albin Kurti kom të drejtë me dyshu dhe me besu që është tendencioze, është paaftësi, është ego për pushtet, nuk i ka numrat në atë që ka pretendu që ka fitu zgjedhjet, nuk po e beson që është një realitet i ri, nuk është partia me 50%, i ka hup 10 deputet, nuk e ka shumicën, nuk e ka partner asnjë parti shumicë shqiptare, dëshiron që të krijoj partneritet me pakica, është e drejtë e tij”, ka thënë Zemaj.

“Po të ishte Limaj [Nisma] dhe Lëvizja Vetëvendosje me 61 numra dhe po ti kishin këto pazaret e kryme me minoritetet dhe pakicat, ai edhe për kundër vullnetit tim dhe interpretimit tim dhe të kolegëve të tjerë do ta kalonte verifikimin…”, ka thënë ai duke shtruar pyetje se ku ishin deputetët e zgjedhur të pakicave në kohën kur po bëhej verifikimi i mandateve. /Dukagjini/