Site icon Telegrafi

Zemaj: Rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Zemaj ka thënë se rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve, transmeton Telegrafi.

“Dita e parë e shkollës është moment që reflekton rolin madhor që ka edukimi në shoqëri ,ndërsa rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve. Urime për të gjithë nxënësit! Paçin një fillim të mbarë, shëndet, suksese, më shumë dije dhe rezultate pozitive”, ka shkruar ai në Facebook.

Zemaj më tej ka thënë se sot ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë.

“Mëngjesin e sotëm gjatë vizitës që i bëra shkollës ‘Iliria’ në Prishtinë pashë se në këto kushte pandemie, gjithnjë sipas udhëzimeve, janë bërë të gjitha përgatitjet, dezinfektimi i hapësirave shkollore, shenjëzimet paralajmëruese, në klasa është bërë reduktimi i numrit të nxënësve për të ruajtur distancën fizike, nxënësit bartnin maska si dhe në hapësira të caktuara ishin vendosur dezinfektues”, është shprehur ai.

Ministri ka falënderuar të gjithë akterët që janë përkushtuar që të menaxhohet sa më mirë situata me pandeminë.

“Edhe njëherë dua të konfirmoj nga këtu që Ministria e Shëndetësisë, bashkë edhe me të gjithë akterët e tjerë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë proces, jemi maksimalisht të përkushtuar që ta menaxhojmë sa më mirë situatën.

Natyrshëm që ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masave parandaluese të virusit”. /Telegrafi/

Exit mobile version