Në Kuvendin e Kosovës ka vazhduar debati për dialogun Kosovë-Serbi.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj i ka kujtuar kryeministrit Albin Kurti refuzimin që ky i fundit iu kishte bërë shumë planeve e marrëveshjeve ndërkombëtare që kishin bërë qeveritë paraprake.
“A jeni ju i njëjti person me planin franko-gjerman. Kryeministri duhet të na tregojë a ka krijuar një pushtet të ri në Kosovë”.
Ai thotë se pika 7 është shtatë herë më e rëndë se të gjitha marrëveshjet e deritanishme.
“Në pikën 7 të kësaj marrëveshje thuhet se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
“Dil e trego Kryeministër a i ke dhënë eksterritorialitet Kishës Ortodokse serbe. A jeni të vetëdijshëm se nëse fëmijët tanë dëshirojnë ta vizitojnë natyrën e bukur rreth Manastirit të Deçanit, duhet të shkojnë me pasaporta?”, ka deklaruar tutje Zemaj./Telegrafi/