Finlanda ka miratuar paketën e saj të 26-të të ndihmës për Ukrainën dhe tashmë ka filluar punën për një tjetër.
Këtë e ka bërë të ditur presidenti finlandez, Alexander Stubb gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Gjatë bisedës, bëhet e ditur se Zelensky informoi Stubb për nevojën për sisteme dhe aftësi shtesë të mbrojtjes ajrore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndër tjera, ai falënderoi Stubb për shprehjen e gatishmërisë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Udhëheqësit e të dy vendeve diskutuan gjithashtu hapat e nevojshëm për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe për të parandaluar çdo mundësi të përsëritjes së agresionit të Rusisë.
Presidentët theksuan edhe nevojën për garanci reale të sigurisë për Ukrainën dhe i kushtuan vëmendje të veçantë anëtarësimit të ardhshëm të Ukrainës në BE dhe NATO.
Ndryshe, sipas raporteve, Zelensky diskutoi me Stubb pasojat e sulmit rus në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. /Telegrafi/