Site icon Telegrafi

Zelensky uron Ramazanin teksa viziton vendet ku “Rusia ka sjellë vuajtje dhe shkatërrim të tmerrshëm” në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë të mërkurën se ishte shqetësuese të shihje pasojat e bombardimeve ruse pasi ai bëri një vizitë të paparalajmëruar në rajonin lindor të Donbasit.

“Është shqetësuese të shikosh qytetet e Donbasit, të cilëve Rusia u ka sjellë vuajtje dhe rrënim të tmerrshëm”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të natës, përcjell Telegrafi.

“Sirena pothuajse konstante, çdo orë alarme ajrore në Kramatorsk, kërcënim i vazhdueshëm i granatimeve, kërcënim i vazhdueshëm për jetën e njerëzve”.

“Pikërisht atje, në Donbas, në rajonin e Kharkiv-it – kudo që ka ardhur e keqja ruse, është e qartë se shteti terrorist nuk mund të ndalet nga asgjë tjetër përveç një gjëje – nga fitorja jonë”, shtoi ai.

Zelensky ka shtuar se megjithatë ndjente se kishte shpresë në çdo qytet lindor të Ukrainës që nuk ishte nën okupim, duke shtuar se ishte një nder për të, të mbështeste ata që janë më afër frontit.

“Unë e nisa vizitën nga fronti, nga zona e Bakhmut. Është nder për mua që të mbështes luftëtarët tanë që po mbrojnë vendin në kushtet më të vështira të vijës së frontit”, tha ai. “… falënderova ushtarët tanë për trimërinë e tyre, për qëndrueshmërinë e tyre, për Ukrainën – të cilën ne po e ruajmë falë heronjve të tillë, falë secilit prej tyre që po lufton kundër të Rusisë së keqe”.

Ai e përfundoi fjalimin e tij duke shënuar fillimin e Ramazanit dhe duke kujtuar tatarët e Krimesë, aktualisht nën pushtimin rus.

“Fuqia e lutjes në këtë muaj të shenjtë na ndihmoftë të pastrojmë Ukrainën nga e keqja e ruse, nga ata që me të vërtetë nuk besojnë në asgjë, dhe kjo është arsyeja pse ata janë të aftë për një terror të tillë”, tha ai. “Ramazani i ardhshëm le të fillojë në paqe dhe në të gjithë tokën ukrainase të lirë nga Rusia. Ramadan Mubarak!”. /Telegrafi/

Exit mobile version