“Ardhja e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë shënon një kapitull të ri për Forcat Ajrore të vendit”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa konfirmoi për herë të parë se aeroplanët luftarakë kanë mbërritur në territoret ukrainase.
Bëhet e ditur se Ukraina u ka kërkuar aleatëve që të transferojnë aeroplanët që nga fillimi i luftës për të mbrojtur qiellin e saj kundër raketave ruse.
Rusia e ruan epërsinë ajrore mbi Ukrainën dhe F-16 pritet të ofrojnë një përmirësim të konsiderueshëm në armatimin e Kievit.
Siç raportohet, F-16 mund të sigurojnë mbulim ajror për trupat, të sulmojnë objektivat tokësore, të sulmojnë aeroplanët e armikut dhe të përgjojnë raketa.
“Kemi mbajtur qindra takime dhe negociata për të forcuar aftësitë e aviacionit dhe mbrojtjes sonë ajrore”, tha Zelensky duke folur në një bazë ajrore jashtë Kievit.
“Ne shpesh dëgjuam përgjigjen se ishte e pamundur. Tani është një realitet. F-16 janë në Ukrainë. Unë jam krenar për të gjithë njerëzit tanë që po i zotërojnë këta aeroplanë dhe tashmë kanë filluar t’i përdorin ata”, shtoi lideri ukrainas.
Zelensky tha se u është mirënjohës partnerëve, dhe veçanërisht vendeve të para që pranuan kërkesën e Kievit për furnizim me F-16, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Falënderoj Danimarkën, Holandën dhe SHBA-në. Dhe për të gjithë partnerët tanë – ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj”, u shpreh Zelensky.
“Tani është një kapitull i ri në Forcat Ajrore të Ukrainës. Ne kemi bërë shumë për të siguruar që të kalojmë në një standard të ri të aviacionit2, shtoi ai.
Mirëpo, Zelensky tha se nuk mund të komentojë mbi misione specifike luftarake ose sa F-16 janë tashmë në Ukrainë, por tha: “Deri më tani, numri që është i disponueshëm në Ukrainë dhe numri i pilotëve që tashmë janë trajnuar nuk është i mjaftueshëm”.
Ai vazhdoi: “Megjithatë, këta aeroplanë janë në qiellin tonë. Është mirë që ata mbërritën dhe ne mund t’i përdorim. Të paktën sot mund t’ju them hapur se mund t’i përdorim ato”.
Ndryshe, më shumë aeroplanë F-16 pritet të mbërrijnë në Ukrainë, me shumë trupa ukrainas që janë ende duke u trajnuar për përdorimin e tyre.
“Unë besoj shumë se partnerët do të gjejnë një mundësi për të zgjeruar platformën e trajnimit për pilotët dhe inxhinierët tanë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, tha Zelensky. /Telegrafi/
We are now in a new phase of development for the Air Force of the Armed Forces of Ukraine. We have done a lot to transition the Ukrainian Air Force to a new aviation standard – Western combat aviation. From the beginning of this war, we have been talking with our partners about… pic.twitter.com/z21yTU0Hjo
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) August 4, 2024