Site icon Telegrafi

Zekaj: Gucati e Haradinaj kishin vepruar pa i ditur kompetencat e Speciales

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Yll Zekaj, pas vendimit të së mërkurës së Gjykatës së Kosovës në Hagë për rastin “Gucati e Haradinaj”, ka thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vërtetuar një mosefikasitet të këtij procesi të aktgjykimit të shkallës së parë pasi kishte rrjedhje të dokumentacionit të dëshmitarëve.

I ftuar në emisionin “Five” të Dukagjinit ai ka deklaruar se vetë publikimi i dokumentacionit ka rënë ndesh me normativën në fuqi.

“Në përmbledhjen e fakteve që ka adresuar sot Gjykata, vërtetonte që ka pasur dashje për publikim të dokumenteve të tilla, ndërsa në kuadër të rregullores dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë që zbatohet pranë kësaj Gjykate, këto vepra nuk i takojnë periudhës kur ka juridikison kohor kjo Gjykatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, dhomat e specializuara të Kosovës asnjëherë nuk kanë bërë publike ndonjë komunikatë të tyre në lidhje me hetime për rrjedhje të dokumentacioneve.

“Dhomat e specializuara nuk janë marrë me shkakun por pasojën, ne nuk e dimë a ka pasur hetime për rrjedhje të dokumentacioneve, sepse asnjëherë nuk është bërë publike ndonjë e komunikatë e tyre për këtë rast”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar ndër të tjera se gjithmonë ka pasur tendencë që duke dislokuar Dhomat e Specializuara të Hagës nuk do të ketë rrjedhje të dokumentacionit, por me këtë rast ndodhi e kundërta.

Lexo po ashtu Gucati e Haradinaj shpallen fajtor nga Specialja, dënohen me nga 4 vjet e gjysmë burgim

“Ky është mosefikasitet i Dhomës së Specializuar, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë nëse në këto dhoma të specializuara ka pasur rrjedhje të dokumentacionit”, ka shtuar Zekaj.

Ndryshe, të mërkurën e 18 majit, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim.

Sipas aktgjykimit, ata janë shpallur fajtorë për “Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë”, “Pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi”,  “Frikësim gjatë procedurës penale”, “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare” dhe  “Shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteti dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”.

Lexo po ashtu ZPS mirëpret vendimin ndaj Gucatit e Haradinaj, thonë se do t’i ndjekin penalisht të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve

Ndërsa, u liruan për pikën katër për hakmarrje.

Kryetari i trupit gjykues e ka nisur me akuza seancën ku pritej të shpallej aktgjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Gjykatësi ka thënë se veprimet dhe sjelljet e të akuzuarve e kanë sfiduar punën e Speciales, ndërsa më pas lexoi konstatimet e trupit gjykues.

Ai tregoi se si Gucati e Haradinaj “morën pjesë në më shumë se 20 intervista në media”.

Për materialin e publikuar, gjykatësi ka thënë se të akuzuarit kanë bërë “komente nënçmuese për dëshmitarët, pavarësisht paralajmërimeve”./Portali D/

Exit mobile version