Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka, ka hedhur akuza ndaj deputetëve të opozitës lidhur me protestën e sotme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, nga zyrat e Kuvendit ku po mbahej protesta, është hedhur një lloj lëngu që digjte sytë e lëkurën dhe pengonte frymëmarrjen.
“Gjithmonë e kam ditur se pushteti aktual neokomunist ushqen urrejtje patologjike ndaj UÇK-së dhe vlerave të lirisë. Sot mësova se të paktën 51 deputet të së majtës ekstreme, nuk kanë as ndjenja njerëzore”, ka shkruar Blaka në Facebook.
Veteranët e UÇK-së protestuan gjatë ditës së sotme, për shkak të mospërfshirjes së kësaj kategorie në Projektligjin për Pagën Minimale, i propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Protesta eskaloi pasi me të hyrë protestuesit në oborr të Kuvendit, u hodh gaz lotsjellës, por që nuk dihet deri më tash nga kush.
Policia mohoi të ketë gjuajtur gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit u ankuan se vinte nga ndërtesa e Kuvendit./Telegrafi/