Në 25-vjetorin e rënies së tre heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, është bërë zbulimi i pllakës me emrin e heroit Zahir Pajaziti në shkollën e fshatit Orllan, e cila edhe mban emrin e tij.
Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se kjo datë është pikënisje e lirisë.
“Kjo datë, kjo ditë e sotme në këtë 25 vjetor të rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha është një datë e veçantë, një datë e shënuar për arsye se kjo është një themel, një pikënisje e kësaj lirie të cilën faktikisht ne po e gëzojmë…”.
“Në këtë rast falënderoj të gjithë ata që kanë investuar në vënien e emrit të dëshmorit të kombit në objektin e shkollës fillore të mesme të ulët ‘Zahir Pajaziti’, duke i falënderuar shumë për këtë kontribut të çmueshëm, ndërsa juve nxënës dhe mësimdhënës ju uroj që të keni rezultate e sukses sa më të mirë”, ka thënë ai.
Drejtori i shkollës, Naim Bajrami ka thënë se këtë aktivitet e kanë ndihmuar dy deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Driton Hyseni dhe Eman Rrahmani.
Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.