Site icon Telegrafi

Zbulohet organizatori i vrasjeve të shqiptarëve në Ekuador, krahu i djathtë i Dritan Rexhepit

Në Kolumbi, Dritan Rexhepi lëvizi midis Bogotás dhe Santa Martës.

Sipas medias në Venezuelë të cilës i referohet Top Channel, në gusht 2022, Rexhepi themeloi kompaninë Hkg Colombian Sas në Medellín. Në të njëjtën kohë, në Kolumbi ndodhej edhe një tjetër figurë kyçe e Kompania Bello, kosovari Remzi Azemi, i cili ishte arrestuar me Rexhepin në Ekuador, në 2014, por u lirua tre muaj më vonë.

Ai mori përsipër koordinimin e dërgesave të kokainës nga Guayaquil dhe u bë krahu i djathtë i Rexhepit. Azemi gjithashtu urdhëroi ekzekutimin e shqiptarëve të tjerë që përpiqeshin të krijonin grupe të pavarura për eksportimin e kokainës nga Guayaquil, pa miratimin e Kompania Bello.

Sipas inteligjencës evropiane, Azemi përdorte përkohësisht një automjet të blinduar me targë GSU-2041, i regjistruar në emër të Katrin Paola Ospino Fernández, partnerja e Rexhepit.

Lexo po ashtu Zbulohet si Dritan Rexhepi hyri në Ekuador në vitin 2011 dhe aleanca me mafien italiane

Ospino Fernández ishte aksionere dhe presidente e kompanisë Worldclass Ecuador, e cila merrej me turizëm, deri në korrik 2021, kur Rexhepi tashmë ishte arratisur në Kolumbi.

Sipas raporteve të inteligjencës së Ekuadorit dhe Evropës, pasuesi i Rexhepit në Ekuador ishte një tjetër bos shqiptar i Kompania Bello, Dritan Gjika. Ai dhe Rexhepi banonin në të njëjtën zonë ekskluzive në Samborondón, një nga lagjet më të pasura të Guayaquil.

Sipas medias në Venezuelë të cilës i referohet Top Channel, Gjika zotëronte restorante dhe biznese të shumta në Guayaquil, të cilat i përdorte edhe për kontrabandën e drogës. Nga 2020 e tutje, ai ndërtoi një rrjet të fuqishëm ekonomik dhe politik, duke krijuar një strukturë të fortë për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Ai përdorte një grup prej dhjetë kompanish – gjashtë në Ekuador dhe katër në Spanjë, përfshirë fabrika të kanabisit dhe plantacione bananesh.

Në 2023, emri i tij doli në dritë për shkak të lidhjeve të tij me Rubén Chérrez (i vrarë në nëntor të atij viti) dhe Danilo Carrera, kunati i ish-presidentit Guillermo Lasso. Carrera u dënua për krim të organizuar si pjesë e një rrjeti kontratash të paligjshme në sektorin energjetik.

Duke e kuptuar se ishte ekspozuar, Gjika u arratis nga Ekuadori.

Exit mobile version